E hënë, 2 Dhjetor, 2024

VIDEO – Një jetë përkushtuar arsimimit të brezave

Kolektivi i mësuesve të shkollës 9-vjecare Xhevdet Doda u mblodhën në një aktivitet për nder të daljes në pension të mësuesit të edukimit fizik Jashar Shehu. Në këtë aktivitet të organizuar nga drejtoria e shkollës morën pjesë mësues kolegë të Jasharit dhe përfaqësues të zyrës arsimore Bulqizë.

Mori pjesë edhe kryetari i Bashkisë Lefter Alla. Në fillim të takimit u shfaq një material filmik nga puna dhe veprimtaria e mësues Jasharit. Jashar Shehu ka lindur në Bulqize më 4 Mars të vitit 1956, shkollën 8-vjeçare e kreu në Bulqizë dhe shkollën e mesme profesionale të kulturës fizike e kreu në Durrës me rezultate shumë të mira.

Në vitin 1976 nisi me pasion punën e mësuesit në Fushë Bulqizë dhe më pas në shkolla të ndryshme të rrethit Bulqizë. Mësues Jashari ka spikatur me punën e tij në aktivitetet kulturore dhe sportive në shkollat ku ka punuar.

Si aktivist dhe sportdashës, mësues Jashari kontribuoi në ngritjen e klasave sportive në rrethin e Bulqizës si në volejboll, basketboll dhe në gara të ndryshme atletike, ku me kontributin e tij, sportiste të kësaj shkolle janë përfaqësuar edhe në gara kombëtare të zhvilluara në rrethe të ndryshme.

Gjate punës së tij si mësues i edukimit fizik në shkollën Xhevdet Doda, që nga viti 1990 ku filloi punë e deri me sot, ka kontribuar në spartakiada të ndryshme ku është shpallur fitues disa herë. Në punën e ti 40-vjeçare në edukimin e brezave, ai sot gëzon respektin e nxënësve dhe kolegeve të tij, gëzon respektin si një qytetar i nderuar i qytetit tonë.

Në vijim të aktivitetit drejtoria e shkollës dhe drejtoria arsimore e nderuan mësues Jasharin me certifikata nderi. Në mbyllje, përmes tingujve të muzikës kolektivi i mësuesve të kësaj shkolle dhe të ftuarit e tjerë kaluan çaste festive duke vallëzuar së bashku dhe duke i uruar mësues Jasharit jetë të gjatë dhe ta gëzojë pensionin./btvnews.al

Artikuj te ngjashem

Me te fundit