Më në fund Partizani e gjeti fitoren për vitin 2023. Të kuqtë arritën suksesin në transfertën e Ballshit. Në ndeshjen e fundit të javës së 21 të Superligës. Ndaj Bylisit nuk e patën aspak të lehtë.
Stadiumi Adush Muça është gjithnjë fushë e vështirë për të gjitha skuadrat. Sfida ishte e kujdesshme pasi asnjë prej skuadrave nuk mund t’ia lejonte vetes aventurën. Rastet më të mira ishin në fundin e pjesës së parë.
Me fillimin e së dytës dhe pasi e kishin studiuar skuadrën vendase, Partizani tentoi të zotëronte fushën duke gjetur mundësinë e shënimit në minutën e 76’ me Mensah i cili u aktivizua nga stoli duke zënë vendin e Tedi Carës.
Në fundin e takimit, loja u ndërpre për pak minuta pasi tifozët vendas të papajtuar me rezultatin hodhën sende të forta në fushë.
Partizani rikthehet në vendet e para të renditjes, aktualisht në të tretin me 34 pikë, po aq sa Vllaznia e vendit të dytë dhe vetëm 3 larg Tiranës kryesuese.
Bylis vazhdon të jetë në vendin e 9 në luftë për mbijetesë, bashkë me Kastriotin. Krutanët do të drejtohen sërish nga Emiliano Çela i cili rikthehet duke këmbyer sërish vendin në pankinë me Ardian Memën.