Përpara nisjes së seancës parlamentare dhe protestës së thirrur nga opozita, ish-kryeministri ka zhvilluar një mbledhje në selinë e PD-së me grupin e tij.
Gjatë fjalës, Berisha tha se Parlamenti është një prej institucioneve më të goditura nga qeveria e Edi Ramës. Sipas tij, në Parlament shkelmohet Kushtetuta.
Berisha akuzoi Edi Ramën për keqtrajtimin e deputetëve të opozitës duke i përjashtuar nga Parlamenti dhe duke i hequr fjalën e lirë.
Berisha: Ne nisëm një revolucion që ka objektiv madhor përmbysjen e monizmit të bazuar në krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve. Rikthimin e votës së lirë të qytetarëve si objektiv më madhor. Në kushtet e monizmit të plotë, një nga institucionet më të goditura, është Parlamenti. Libri themelor i çdo kombi të qytetëruar, që është Kushtetuta, shkelmohet në Parlament. Dhunohet në Parlament.
Deputetë të opozitës në Parlament, janë trajtuar në mënyrën më antikushtetuese. Të drejtat e tyre janë dhunuar dhe janë pjesëtuar si kurrë ndonjëherë më parë në historinë e Parlamentit. Për të drejtën e fjalës, deputetët janë përjashtuar nga Parlamenti, të tjerë në kundërshtim me çdo ligj, shpallen të përjashtuar nga grupi me urdhër të Edi Ramës.
Mirëpo, deputetët e opozitës përfaqësojnë jo vetëm veten e tyre. Ata sëbashku përfaqësojnë 750 mijë votues që në zgjedhjet e fundit votuan për forcat politike opozitare. Të injorosh në këtë mënyrë 750 mijë votues, të sillesh me këtë brutalitet dhe këtë armiqësi të egër ndaj tyre, s’bën asgjë tjetër veçse kërkon konfliktin e hapur.
Në këto kushte, ne nisëm pardje revolucionin tonë për ta vazhduar atë në të katër anët e vendit deri në triumfin e tij. S’ka diskutim që Parlamenti është një epiqendër e rëndësishme. Thash dhe njëherë, nëse Kushtetuta dhunohet në Parlament, nëse rregullorja e Parlamentit dhunohet, këtu ligjet kanë marrë fund dhe mbetet gjithçka në vullnetin e një njeriu. /btvnews.al