Bajern Mynih ka festuar një fitore të rëndësishme në natën e të martës në Ligën e Kampioneve, teksa ka mundur PSG-në në transfertë.
Nata në Paris ishte mëse e mirë për bavarezët që e mbyllën me suksesin 1-0 duke marrë një avantazh të rëndësishëm për ndeshjen e kthimit mes dy skuadrave në Mynih.
Megjithatë, kthimi në shtëpi nuk ishte edhe aq i lumtur për bavarezët, të cilët u bllokuan për shkak të problemeve që kishte gjatë gjithë ditës së sotme kompania Lufthansa.
Sistemi kompjuterik i saj pati disa probleme dhe shumë fluturime u anuluan. Jo ai i Bajernit, por lojtarët dhe stafi u detyruan që të qëndronin brenda në avion në pistë për rreth 75 minuta, para se t’u jepej drita e gjelbër për të fluturuar.
Ndërkaq, edhe mbërritja në Mynih nuk u shoqërua pa telashe, pasi aty u desh të qëndronin edhe 15 minuta të tjera të mbyllur në avion. Arsyeja ishte se autobusi që do i merrte nga pista nuk ishte gati dhe lojtarët mbeten në pritje të tij.