E hënë, 25 Nëntor, 2024

“Financial Times”: Rrjeti i paligjshëm i kamerave tregon fuqinë e krimit të organizuar në Shqipëri, bandat një hap përpara policisë

“Financial Times” i ka kushtuar një shkrim situatës kriminale në Shqipëri dhe për këtë ka vënë theksin tek metoda që përdornin bandat me vendosjen e kamerave të paligjshme për të vëshguar lëvizjet e rivalëve por edhe të policisë.

Në këtë shkrim me titull “Bandat shqiptare vendosën qindra kamera spiune për të qenë një hap përpara policisë”, thuhet ndër të tjera se “rrjeti i paligjshëm i vëzhgimit tregon fuqinë e krimit të organizuar në vendin ballkanik”-raporton Panorama.

Policia shqiptare çmontoi më shumë se 500 kamera të paligjshme vëzhgimi që dyshohet se janë vendosur nga bandat për të monitoruar qytetarët dhe forcat e rendit, në një skandal që nxjerr në pah fuqinë e rrjeteve kriminale në kombin e vogël ballkanik.

Kamerat, rreth gjysma e të cilave ishin montuar në kryeqytetin e vendit, Tiranë, u zbuluan gjatë një hetimi të nxitur nga shpërthimi që ndodhi pranë shtëpisë së një oficeri policie në Shkodër. Ndikimi i bandave kriminale është përmendur si një ndër arsyet kryesore që shqiptarët po largohen nga vendi i tyre për në vende të tjera evropiane, përfshirë edhe Britaninë e Madhe.

“Policia çmontoi”. . . kamera të vendosura në shtylla elektrike, në rrugë, për të mbledhur informacione për qëllime kriminale,” tha policia shqiptare në një deklaratë të martën.

Kamerat e vendosura nga persona apo grupe kriminale kishin për qëllim edhe marrjen e informacionit për lëvizjet e policisë.

Bandat përdorën kamerat e kontrolluara nga distanca për të monitoruar rivalët dhe lëvizjet e policisë, që të jenë një hap para institucioneve të zbatimit të ligjit, sipas një raporti nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese, i cili citonte vendasit që dëshmonin për “raketat, kërcënimet dhe frikën” nga bandat, ku duhet të jetojnë çdo ditë.

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se operacioni policor erdhi “pasi akuzohemi se nuk kemi marrë masa dhe akuzohemi gjithashtu kur marrim masa”.

“Fakti që policia veproi për këtë çështje, problem prej dekadash, do të thotë se qeveria është e prirur dhe e fokusuar në luftimin e krimit të organizuar”, tha Rama. Ai shtoi se jo të gjitha kamerat ishin të lidhura me rrjetet kriminale dhe se “disa ishin për përdorim individual, megjithëse jo të ligjshme”.

Ish-ministri i Jashtëm dhe i Drejtësisë Aldo Bumçi tha se grupet kriminale kishin ndërtuar një rrjet global të trafikut të narkotikëve dhe po pastronin paratë në Tiranë.

Kartelet shqiptare të drogës punësojnë dhjetëra mijëra familje në vend për të rritur marijuanën, tha Bumçi, duke përdorur paratë, lidhjet me Evropën Perëndimore për të operuar gjithashtu një rrjet global të kontrabandës së heroinës dhe kokainës.

Rama e kundërshtoi këtë, duke thënë se “Kultivimi i kanabisit ka rënë në mënyrë drastike dhe operacionet e suksesshme policore në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë”. . . flasin për rritjen e efektivitetit në luftimin e krimit ndërkombëtar dhe atij të brendshëm”.

Vitin e kaluar, Komisioni Evropian kritikoi Shqipërinë, një kandidate në BE, për një ligj të propozuar që ofron amnisti për depozitat deri në 2 milionë euro në bankat shqiptare pa penalitete, duke tatuar transfertat me një normë deri në 10 për qind.

Një raport i Departamentit të Shtetit të SHBA i lëshuar vitin e kaluar thoshte se Tirana duhet të vazhdojë përpjekjet për reformën në drejtësi, të forcojë rregulloret dhe mbikëqyrjen kundër pastrimit të parave dhe të punojë për të luftuar ndikimin e krimit të organizuar.

“Krimi i dhunshëm në Shqipëri shoqërohet shpesh me krimin e organizuar,” tha ai.

“Gjyqtarët, prokurorët, policia dhe gazetarët kanë qenë subjekt i kërcënimit”.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit