E premte, 29 Nëntor, 2024

Maliq/ U raportua si aksidentale, zbardhet ngjarja makabre, babai masakroi djalin me çekiç

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje në Maliq, ku një 77-vjeçar ka vrarë me çekiç gurësh djalin e tij 50 vjeç.

Ngjarja u raportua fillimisht si aksidentale, por pas hetimeve të thelluara nga grupi hetimor është zbuluar se Shefki Bylykbashi ka vrarë djalin e tij Hamdi Bylykbashi.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, pasditen e djeshme, pas marrjes së njoftimit se në spitalin e Korçës, ishte sjellë i pajetë shtetasi Hamdi Bylykbashi, 50 vjeç, banues në fshatin Zvezdë, Maliq, menjëherë kanë shkuar në spital dhe në vendngjarje, me qëllim verifikimin e rastit.

Fillimisht familjarët e tij kanë deklaruar se 50-vjeçari, duke qenë në gjendje të dehur, ishte rrëzuar aksidentalisht në banesën e tij dhe për pasojë kishte marrë dëmtime në kokë.

Nga hetimet e thelluara dhe provat e siguruara rezultoi se pasditen e djeshme, 50-vjeçari duke qenë në gjendje të dehur, është konfliktuar në banesë me babain Shefki Bylykbashi, 77 vjeç, të cilin ka dashur ta hedhë në pusin e ujit në oborr.

Më pas 77-vjeçari, e ka goditur disa herë në kokë me mjete të forta (çekiç që përdoret për të thyer gurë), ku si pasojë e dëmtimit të rëndë, 50-vjeçari ka humbur jetën gjatë transportimit për në spitalin e Korçës.

Në vijim të veprimeve procedurale, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Shefki Bylykbashi , 77 vjeç, për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme. /btvnews.al

Artikuj te ngjashem

Me te fundit