E shtunë, 23 Nëntor, 2024

Edhe Facebook dhe Instagram do të bëhen me pagesë, së shpejti shërbimi i ri i verifikimit të llogarive

Përdoruesit e platformave të kompanisë Meta së shpejti do të mund të verifikojnë llogaritë e tyre, por kjo do të bëhej kundrejt një pagese mujore.

Udhëheqësi i Meta-s, Mark Zuckerberg, njoftoi shërbimin e abonimit për platformat Facebook dhe Instagram, pasi për pothuajse 20 vjet mbrojti një model ekonomik të bazuar në shërbime pa pagesë dhe në reklama.

Ata që abonohen në shërbimin Meta Verified do të mund të verifikojnë llogarinë e tyre në Facebook dhe Instagram, duke paraqitur një letërnjoftim zyrtar dhe duke marrë një shenjë të kaltër, e cila tregon se prapa llogarisë është personi apo subjekti që thotë se është.

Llogaritë e abonentëve, po ashtu, do të mbrohen më mirë kundër vjedhjes së identitetit, falë monitorimit proaktiv. Në rast të problemeve, këta abonentë do të mund të kontaktojnë drejtpërdrejt ekipet e shërbimit për konsumatorët.

Dhe, postimet, fotografitë dhe videot e tyre do të kenë peshë më të madhe sesa ato të personave që nuk janë të abonuar, duke u shfaqur në krye të rezultateve të kërkimeve, të komenteve dhe të rekomandimeve.

Meta Verified do të lëshohet këtë javë në Australi dhe Zelandën e Re, para se të zgjerohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në vende të tjera.

Shërbimi i ri do të kushtojë 11.99 dollarë në muaj për përdoruesit që regjistrohen direkt në platforma, dhe 14.99 dollarë për ata që abonohen përmes aplikacioneve të platformave në telefona mobilë./btvnews.al

Artikuj te ngjashem

Me te fundit