E premte, 29 Nëntor, 2024

Ky vend në Tokë cilësohet “analog” i planetit Mars, terren trajnimi për astronautët

Lanzarote, në Ishujt Kanarie është një atraksion i madh turistik, veçanërisht për plazhet e paprekura. Peizazhet e tij vullkanike e kanë bërë gjithashtu një terren ideal trajnimi për gjeologët, astronautët dhe inxhinierët e hapësirës.

Agjencia Evropiane e Hapësirës (ESA) ka trajnuar astronautët në terrenin vullkanik të Lanzarote që nga viti 2016. Deri më tani, janë trajnuar 7 astronautë evropianë, dy amerikanë, një kozmonaut rus dhe disa inxhinierë.

Sipas Loredana Bessone, një prej drejtueseve të këtij projekti në ESA, ky trajnim përfshin dhe kurs për gjeologjinë planetare me sesione teorike dhe praktike.

“Ne i sjellim astronautët në zona fushore që janë analoge të Hënës, Marsit dhe asteroidëve. Ata trajnohen në vende që janë vullkanike si Lanzarote“, tha Bessone.

Lanzarote cilësohet ndryshe si analog i Marsit pasi do shërbejë për trajnimin e astronautëve për misionet e ardshme në Hënë dhe Mars.

“Është një terren djerrë, i thatë me shumë pak bimësi. Kohët e fundit ka pasur shpërthime vullkanike që kanë lënë rrjedhat e lavës të mbulojnë terrenin. Duket sikur je në Hënë ose Mars”, përfundoi Bessone.

 

Artikuj te ngjashem

Me te fundit