Nebi Muçaj, drejtori ekzekutiv i Qendrës Vullnetare te Emergjencave Civile i cili së bashku me disa persona të tjerë i ka ardhur në ndihmë vullnetarisht Turqisë për të nxjerrë trupat nga rrënojat e tërmetit tragjik mëngjesin e 6 shkurtit, ka treguar vështirësitë e punës.
I ftuar në Euronews Albania, ai tregoi se tërmetet e herë pas hershme e vështirësonin më shumë punën e ekipeve të kërkim shpëtimit, ndërsa shtoi se punonin gjatë gjithë kohës me shpresën që të nxirrnin trupa të gjallë nga rrënojat.
“Është shumë e vështirë, por në këto raste janë forcat e specializuara që ndërhyjnë. Temperaturat ishin të ulëta dhe tërmetet vazhdonin vazhdimisht, gjë që e bënin punën më të vështirë.
Ishte e vështirë të operoje në këto kushte, por që kishim stafet e përgatitura. U nisëm me vonesë pasi u orientuam për forcat që na duheshin. Ishin rreth 180 godina të dëmtuara.
Punonim gjatë gjithë ditës me shpresën që të gjenim një jetë të shpëtuar. Punonim deri vonë. Ekipi jonë u nda në dy pjesë”- theksoi ai.