Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në mbledhjen e Këshillit Kombëtar ka folur për përballjen me qeverinë. Në fjalëmn e tij para anëtarëve të këtij forumi, Berisha tha se të gjithë duhet të jenë gati për betejë.
Ai shtoi se rruga e tyre nuk është e shtruar, por tha se të gjitha vështirësitë do kalohen dhe qëllimi i opozitës do të arrihet.
“Në këtë udhëtim, kjo nuk ishte një betejë për veten tonë, jo, nuk ishte një betejë për Sali Berishën, jo, ishte një betejë për çdo shqiptar. Ishte një betejë për çdo shqiptar që beson se vendi duhet të ketë sistem demokratik dhe se pa opozitë nuk ka demokraci. Kjo ishte betejë për çdo shqiptar që i thotë dinjitetit të njeriut, dinjitet.
Ishte një betejë për çdo shqiptar i cili respekton në qiell miqtë, por nuk pranon kurrë të shkelmohet ndaj tyre. Kjo ishte një betejë për çdo shqiptar që beson se Shqipëria si vend sovran, vend i pavarur, vetëm e tillë është e denjë për miq, për partnerët. Kjo ishte një betejë për çdo shqiptar sepse gjithçka bëmë ne për të vendosur në këtë udhëtim, për të vendosur në piedestal votën e lirë të anëtarëve tanë dhe pastaj të shqiptarëve.
Kurrë ndonjëherë nuk kemi sakrifikuar më shumë për të gjithë shoqërinë tonë, se sa në këtë udhëtim. Kjo duhet të bëjë krenarë secilin prej jush, çdo demokrate e demokrat, çdo mbështetës tonin. E them edhe njëherë, idealet janë forca jetësore e njeriut dhe shoqërisë.
Sot ne jemi përsëri në një etapë të re të betejës. Të shtojnë çdo përpjekje për asgjësimin tonë, asgjësim i cili filloi duke paguar si vrasës me pagesë kryezbuluesin e botës dhe duke mobilizuar llum, majtas e djathtas, për të fshirë nga faqja e dheut PD-në. Historia do të flasë dhe do ti dënojë këto akte makabre korrupsioni të një grushti të vërtetë të shtetit, kundër demokracisë.
Por ja ku jemi, të palëkundur në besimin tonë, të palëkundur në vokacionin tonë perëndimor, të palëkundur në rreshtimin tonë me vendet e mëdha të lira dhe vendet e lira në tërësi. Megjithatë duhet të themi se rrugën nuk e kemi të shtruar, jo, jo. Vështirësi të mëdha na presin. Vështirësi shumë të mëdha, por sot jemi më të fortë se kurrë dhe u garantoj unë ju se kemi çdo potencial për ti kapërcyer ato“, tha Berisha./btvnews.al