Paraditen e sotme është bëre e mundur arrestimi i shtetasit Agim Xhiherri pasi dyshohet për zjarrëvenie të qëllimshme.
Ditën e dielë në masivin pyjor midis Klosit dhe Bulqizës ky shtetas me veprimet e tij shkaktoi djegien e disa hektarë pyje.
Tymi i shkaktuar nga zjarri paralizoi për disa kohë dhe qarkullimin e mjeteve në rrugën nacionale.
Organet ligjzbatuese iu bëjnë thirrje qytetarëve të denoncojnë cdo rast duke i siguruar për anonimat të plotë.
Njoftimi i Policisë:
Në vijim të punës për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të zjarrvënieve të qëllimshme apo nga pakujdesia, specialistët për Hetimin e Krimeve në Postën e Policisë Klos arrestuan në flagrancë shtetasin A. Xh., 38 vjeç. Ky shtetas dyshohet se ka ndezur zjarr në vendin e quajtur “Kepi i djepzave”, bashkia Klos, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është shkaktuar panik tek banorët dhe janë djegur sipërfaqe toke me shkurre dhe barishte.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Dibër apelon për të gjithë banorët, që në asnjë rast mos shkaktojnë zjarrvënie, pasi do të përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërive në tërësi, duke iu garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm. /btvnews.al