Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar Bordin e Transparencës për kontrollin e çmimeve të ushqimeve.
Në një vendim të publikuar këtë të mërkurë, Kushtetuesja njofton se ka pranuar kërkesën e deputetëve të PD dhe në këtë mënyrë ka shpallur si të paligjshme VKM për ngritjen e Bordit për ushqimet bazë.
“Gjykata vlerësoi se aktet normative me fuqinë e ligjit nr. 7, datë 18.03.2022 të Këshillit të Ministrave nuk plotësojnë kriteret kushtetuese të parashikuara në nenin 101 të Kushtetutës. Për këtë arsye, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë me shumicë votash vendosi pranimin e kërkesës së deputetëve“, sqaron gjykata.
NJOFTIMI I PLOTË
Pranimin e kërkesës. Shfuqizimin e ligjit nr. 41/2022, datë 21.04.2022 “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 7, datë 18.03.2022 të Këshillit të Ministrave “Për transparencën dhe monitorimin e çmimit për disa produkte ushqimore bazë dhe produkte të tjera të lidhura me to si pasojë e situatës së veçantë të krijuar në treg””, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Shfuqizimin e ligjit nr. 51/2022, datë 09.06.2022 “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 9, datë 11.05.2022 “Për një shtesë në aktin normativ nr. 7, datë 18.03.2022 të Këshillit të Ministrave, “Për transparencën dhe monitorimin e çmimit për disa produkte ushqimore bazë dhe produkte të tjera të lidhura me to si pasojë e situatës së veçantë të krijuar në treg”””, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese./btvnews.al