Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, nga Elbasani ku takoi strukturat ka hedhur akuza kundër qeverisë dhe tha se “Rilindja do ndëshkohet në mënyrën më shembullore”.
Në takimin me simpatizantët, Meta duke iu referuar çështjes së McGonigal u shpreh se protestat do të vazhdojnë. Sipas tij maxhoranca do ta marrë përgjigjen në 14 Maj, kur të mbahen dhe zgjedhjet lokale.
“Tani fytyrën e krimit e kemi të qartë, nuk ka të bëjë me individë që rekruton rilindja, por ajo është vetë fytyra që korruptoi vetë zyrtarin e FBI-së. Fati i protestave dihet, sepse fati i protestave është ngritur me fatin e akuzave, kauza është rivendosja e demokracisë, rivendosja e llogaridhënies dhe ndëshkimi i këtij krimi dhe korrupsioni që ka pushtuar botën për shkak të Rilindjes.
Keni parë ju shtypin britanik të flasë për malazezet, serbet apo maqedonasit. Është Shqipëria, Afganistani, Siria dhe vendet që s’kanë lidhje me Evropën. Ndaj do të ndëshkohet Rilindja në mënyrën më shembullore që vendi ynë mos jetë ky që është.
Shqipëria e para për korrupsion, deri aty sa arriti të korruptojë edhe drejtorin e FBI që të shkatërronte opozitën, të shkatërronte demokracinë. Protesta dhe zgjedhje, zgjedhje dhe protesta kjo është një histori e përfunduar. Edhe 80 ditë janë mos u mërzisni”, ishte kjo një pjesë e deklaratës së Metës./btvnews.al