E enjte, 28 Nëntor, 2024

Kredia në euro u rrit përsëri në 2022, arriti nivelin më të lartë në shtatë vjet

Kredia në euro u rrit përsëri vitin e kaluar dhe shënoi nivelet më të larta në shtatë vitet e fundit.

Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për vitin 2022 sektori bankar dha 1.175 milordë euro kredi të reja në valutën europiane, me një rritje prej 16.8% krahasuar me një vit më parë.

E konvertuar në lekë me kursin mesatar mujor, kjo vlerë është e barazvlefshme me 139.6 miliardë lekë, shumë kjo 4.6% më e lartë krahasuar me kredinë e dhënë për të njëjtën periudhë në monedhën vendase.

Sipas kohëzgjatjes së kredisë, peshën më të lartë në portofol e ka kredia afatgjatë me maturim mbi pesë vjet, që përbënte mbi 45% të totalit, ndërsa pjesa e mbetur ndahej mes maturitetit afatshkurtër dhe atij afatmesëm. Fakti që kredia në euro po përdoret kryesisht për kredi afatgjata e lidh përdorimin e saj kryesisht me investimet dhe sidomos me blerjen e pasurive të paluajtshme, si nga bizneset, ashtu edhe nga familjet.

Nga ana tjetër, kredia e re në lekë pësoi sërish rënie vitin e kaluar, në rënie vjetore me 2%, për një vlerë totale disbursimesh prej 133.4 miliardë lekësh. Shifra tregojnë se në dy vitet e fundit kreditimi i ekonomisë është orientuar përsëri drejt valutave të huaja dhe kryesisht drejt euros.

Rikthimi i rritjes së kredisë në euro gjatë vitit të kaluar mund të shpjegohet nga disa faktorë dhe ndoshta më kryesori është rritja e lartë e depozitave në euro. Sipas Bankës së Shqipërisë, depozitat në valutën europiane u rritën me 17% vitin e kaluar, ndërsa depozitat në lekë rezultuan në stanjacion. Rritja e depozitave në euro rrit mundësitë e bankave për të kredituar në këtë monedhë. Një faktor tjetër që ka favorizuar kreditë në euro janë edhe normat më të ulëta të interesit.

Vitin e kaluar Banka e Shqipërisë dhe Banka Qendrore Europiane nisën rritjen pas më shumë se një dekade të normave të interesit. Kjo u reflektua në rritje të interesave të kredisë për të dyja monedhat, por për lekun rritja e interesave ishte më e ndjeshme. Norma mesatare e huave të reja të dhëna për sektorin privat gjatë vitit 2022 ishte 4.37%, ndërsa i njëjti tregues për lekun rezultoi 6.59%.

Për një pjesë të konsiderueshme të huamarrësve, që i kanë të ardhurat në lekë, huamarrja në euro shtron në afatin e gjatë rrezikun e kursit të këmbimit. Megjithatë, interesat më të ulëta të euros dhe tendenca e forcimit të lekut në kursin e këmbimit gjatë dy viteve të fundit duket se kanë ndikuar në një percettim më të ulët të këtij rreziku nga huamarrësit.

Sipas analizave të Bankës së Shqipërisë, në situata kur kursi i këmbimit është i qëndrueshëm dhe luhatshmëria e tij është e ulët, agjentët ekonomikë kanë tendencën të rrisin volumin dhe frekuencën e transaksioneve të tyre financiare në valutë. Kjo shoqërohet në përgjithësi me rritje të shkallës së përdorimit të valutës dhe ulje të vigjilencës ndaj rreziqeve që shoqërojnë ekspozimin e tyre ndaj saj.

Përpjekjet e Bankës së Shqipërisë për të ulur euroizimin e sektorit financiar deri tani nuk po japin shumë rezultat. Euro po bëhet gjithnjë e më dominuese në strukturën e depozitave dhe të kredive të sektorit bankar. Kjo tregon se lufta ndaj euroizimit në sektorin financiar është e vështirë në kushtet e euroizimit të lartë të ekonomisë reale./E.Shehu


Burimi: Banka e Shqipërisë

/Monitor

Artikuj te ngjashem

Me te fundit