Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione të reja ndaj disa bankave ruse, kompanive dhe individëve, për shkak të ndihmës që i kanë dhënë Moskës për të shmangur sanksionet një vit pas pushtimit të Ukrainës.
“Veprimet e sotme, së bashku me masat shtesë të marra nga Departamenti i Shtetit, Departamenti i Tregtisë dhe Zyra për Tregti e SHBA-së, në koordinim me aleatët dhe partnerët e G7-s, edhe më tej izolojnë Rusinë nga ekonomia ndërkombëtare. Po ashtu, pengojnë aftësinë e Rusisë për të pasur qasje në kapital, materiale dhe teknologji për të mbështetur dhe vazhduar luftën kundër Ukrainës që ka vrarë mijëra dhe ka detyruar të zhvendosen miliona persona të tjerë”, tha Departamenti amerikan i Thesarit më 24 shkurt.
Ndërkaq, sipas Shtëpisë së Bardhë, sanksionet e reja shënjestrojnë mbi “200 individë dhe entitete, përfshirë edhe aktorë rusë dhe të shteteve të tjera në mbarë Evropën, Azinë dhe Lindjen e Mesme që po mbështesin përpjekjet e luftës së Rusisë”.
Subjekt i sanksioneve të reja do të jenë edhe “disa institucione financiare ruse, së bashku me zyrtarë rusë që ilegalisht operojnë në Ukrainë”, tha Shtëpia e Bardhë. Shtëpia e Bardhë tha se rundi i ri i sanksioneve godet sektorët e mbrojtjes dhe teknologjisë së lartë të Rusisë, por edhe përpjekjet për të shmangur sanksionet ekzistuese.
Sanksionet e reja amerikane vijnë në përvjetorin e parë të nisjes së pushtimit të Ukrainës nga Rusia, luftë që deri më tani ka lënë të vrarë dhjetëra mijëra persona dhe ka shkaktuar shkatërrim të qyteteve ukrainase./REL