Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar sonte një takim me strukturat drejtuese të degëve 6, 13 dhe 16 të Tiranës, ndërsa ka folur me mbështetësit demokratë dy ditë para protestës së paralajmëruar.
Berisha u ka bërë thirrje demokratëve pjesëmarrës në takim se duhet t’i bashkohen protestës së 3 marsit, pasi sipas tij do jetë një ditë “e veçantë” e revolucionit paqësor.
Ai shtoi më tej se tani “ka ardhur koha për mosbindjen civile” dhe se do përdoren të gjithë mjetet për fitoren përfundimtare të revolucionit.
“3 marsi është një ditë e veçantë, do të flasim fuqishëm në protestën tonë. Kufomë politike e pakallur, sot ai përbën rrezikun më të madh për këtë vend. Sot ai është i gatshëm të marrë çdo vendim me qëllimin e vetëm që të shpëtojë lëkurën e tij sepse ai e di, me korruptimin e McGonigal, me thikën që i futi marrëdhënieve me SHBA dhe sigurisë së tyre duke korruptuar me para kryezbuluesin, ai nuk mund të ketë shpresë për të ardhme politike. Ka kryer një vetëvrasje politike. Do marrë çdo vendim dhe do mbajë çdo qëndrim për të qëndruar por dhe ne do bëjmë të njëjtën gjë për ta shporrur nga skena politike. Një kufomë politike nuk mbahet kurrë në pushtet.
Mos mendoni se McGonigal ishte i vetëm, kishte bashkëpunëtorë. Duke nxjerrë çdo mësim do e mbështesim revolucionin me bindjen se Shqipëria bëhet vetëm nga shqiptarët. Me bindjen se liria është forcë e pathyeshme, me bindjen se vokacioni ynë perëndimor nuk ndryshon me asgjë. I rezistuam një agresioni të pashembullt, por ecim të sigurtë deri në përmbysjen e regjimit të Ramës. /btvnews.al