Nga kontrollet në të gjithë territorin e qarkut, konstatohen dhe goditen 2 raste të shpërndarjes në doza, të lëndës narkotike kanabis.
Vihen në pranga 2 autorë të dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale dhe sekuestrohet një sasi lënde narkotike kanabis, e ndarë në doza.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, si rezultat i kontrolleve të ushtruara në të gjithë qarkun, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, si dhe me mbështetjen e inteligjencës informative, kanë evidentuar dhe goditur 2 raste të shitjes së lëndës narkotike kanabis, në doza. Për këto raste u arrestuan në flagrancë shtetasit:
-E. R., 20 vjeç dhe M. K., 17 vjeç, të dy banues në lagjen “10 korriku”.
Gjatë kontrolleve fizike të ushtruara nga shërbimet e Policisë, këtyre shtetasve, në 2 lagje të ndryshme të qytetit, iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis, e ndarë në doza, të gatshme për shitje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.