E martë, 26 Nëntor, 2024

Kurti bisedon me senatorin Murphy për planin e zbatimit të propozimit të BE-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se është i gatshëm të vazhdojë diskutimet për planin e zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Këto deklarata ai i bëri gjatë një bisede telefonike që ka zhvilluar të premten mbrëma me senatorin amerikan, Chris Murphy.

Murphy ishte në mesin e senatorëve që më 2 Mars, përmes një deklarate të përbashkët me senatorët e tjerë të Nënkomitetit për Marrëdhënie me Jashtë për Evropën dhe Bashkëpunim Rajonal të Sigurisë, kërkuan nga Kosova dhe Serbia që të pajtohen me planin e zbatimit të Propozimit Evropian – Marrëveshjes drejt normalizimit mes dy vendeve.

Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, gjatë takimit të 27 Shkurtit në Bruksel, u pajtuan se nuk ka më nevojë për diskutime lidhur me propozimin evropian, që ka mbështetjen edhe të SHBA-së, Gjermanisë, Francës dhe Italisë.

BE-ja më pas tha se palët kanë shprehur gatishmërinë që të punojnë në planin për zbatimin e propozimit evropian, që synon të çojë palët drejtë një marrëveshjeje përfundimtare gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Takimi i radhës mes Kurtit dhe Vuçiçit në kuadër të dialogut do të mbahet më 18 Mars në Ohër.

Ky do të jetë një takim ku liderët do të diskutojnë planin e zbatimit që është pjesë integrale e Marrëveshjes mes dy vendeve.

BE-ja dëshiron që në këtë takim palët të pajtohet për një aneks të planit që përfshin një kalendar të qartë se kur duhet të përmbushen të gjitha elementet e saj.

Në propozimin evropian, që është publikuar më 27 Shkurt, nuk përmendet decidivisht njohja e ndërsjellë. Megjithatë, në nenin dy të propozimit thuhet se palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës. Propozimi përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.

Kosova dhe Serbia që nga viti 2011 zhvillojnë negociata për të arritur normalizimin e plotë. Megjithatë, palët kanë pikëpamje të ndryshme sa i përket marrëveshjes përfundimtare. Kosova insiston në njohje reciproke, e Serbia në një zgjidhje kompromisi, pa treguar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë./REL

Artikuj te ngjashem

Me te fundit