Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbledhur këtë të diel kandidatët e opozitës për kryetar bashkir dhe ka diskutuar për vendimin e Gjykatës së Apelit për lidershipin e partisë.
Berisha deklaroi se gjykata u diktua nga Rama, pasi sipas tij kreu i qeverise ka frikë nga opozita e vërtetë.
“Ai nuk do të shpëtojë kurrë nga PD e cila u ngrit si feniksi nga hiri, apo labirintet e kurtheve të paimagjinueshme shqiptare e ndërkombëtare, dhe vjen sot më e fuqishme se kurrë në betejë në një monizëm të plotë të bazuar në krimin, drogën dhe vjedhjen. Qytetarët e kanë të qartë se me këtë akt Edi Rama shprehu tmerrin që ka nga opozita e vërtetë, sepse Edi Rama është një kufomë politike që kundërmon në Shqipëri, Ballkan, SHBA dhe kudo në botë.
Ai kundërmon për të gjitha aferat e tij të mëdha korruptivë. Të ligat dhe të zezat që iu ka bërë qytetarëve shqiptarë duke i vjedhur nga mëngjesi deri në darkë, në çdo orë, në çdo muaj, në çdo stinë, në çdo kohë. Ai kundërmon si njeriu që po shfaros demografikisht këtë vend. Po e shkreton këtë vend me një shpejtësi të rrufeshme, sa asnjë luftë civile, rajonale, apo botërore.
Në 8 vitet e qeverisjes së tij, vetëm në hapësirën Shengen u larguan nga Shqipëria 937 mijë qytetarë, nga të cilët 78% prej tyre janë të rinj. Nuk ka shqiptar që mund të pajtohet me këtë moment dramatik, me këtë traumë, me këtë dramë kombëtare që krijon Edi Rama me politikat e tij. Ndaj dhe ai ka frikë dhe tmerr nga zgjedhjet, sepse me dokumente zyrtare, jo të opozitës, por shtetërore aktuale, ai në 9 muaj iu ka vjedhur shqiptarëve 122 miliardë lek.
Qytetarët mund të pyesin, po si i ka vjedhur?
I ka vjedhur duke bërë punë publike me çmim të 8 fishtë, 10 fishtë, të 5 fishtë krahasuar me çmimet që përcaktojnë manualet e ndërtimit, qoftë në Europë, qoftë në SHBA. I ka vjedhur me bordet, me të cilat detyroi qytetarët shqiptarë të paguajnë për ushqimin, për bukën e përditshme, për naftën 530 milionë euro në disa muaj. I ka vjedhur me energjinë”, deklaroi ndër të tjera Berisha./btvnews.al