E hënë, 25 Nëntor, 2024

Reforma në Drejtësi “shpëton” divorcet! Përgjysmohen ndarjet e çifteve

Divorci shihet si një efekt post-modern i ndikuar nga shkaqe emocionale dhe ekonomike. Konglomeratit të arsyeve se çfarë ndikon me numrin e divorceve në vend, pas fuqizimit ekonomik të grave, rritjes së emigracionit dhe uljes së numrit të martesave, do t’i shtojmë edhe… Reformën në Drejtësi. Në vitin 2021, divorcet pothuajse u përgjysmuan në raport me 2019-n.

Prej vitesh, në çdo kohë, martesat janë ndikuar nga grindjet për financat, rritja e fëmijëve apo historitë jashtëmartesore. Por kur koronavirusi zuri vend globalisht në vitin 2020, një burim tjetër grindjesh u shfaq në shumë martesa.

Edhe marrëdhëniet më të qëndrueshme dhe afatgjata filluan të pësojnë disa çarje, nga stresi i madh i shkaktuar nga faktorë si humbja e punës, aspekti emocional që ka pasur bllokimi dhe presioni i shtuar i prindërve për të ndihmuar fëmijët të lundronin në efektet e pandemisë.

Por jo vetëm! Së bashku me emigracionin që Shqipëria po përjeton në shifra të larta në dekadat e fundit, duket se panoramës së divorceve i shtohet edhe një element i ri: mungesa e gjyqtarëve nga Reforma në Drejtësi. Kjo ka shtyrë prej muajsh, ndonjëherë edhe vitesh, disa seanca dhe avokatët deklarojnë se gjatë kësaj kohe, disa martesa kanë shpëtuar.

Po të vëzhgojmë shifrat, në vitin e fundit të raportimit 2021, kemi 15.8 divorce për 100 martesa. Me ulje të ndjeshme nga një vit më parë, kur shifrat tregonin 24.4 divorce për 100 martesa.

Avokatët ia atribuojnë uljen e divorceve disa arsyeve, ndër të cilat ulja e numrit të martesave ndër vite, mosfunksionimi i Gjykatave siç duhet prej numrit të ulët të gjyqtarëve që ka zvarritur paditë e divorceve (efektet e të cilave do të shihen në vitet pasuese). Gjithashtu, rastet që shkojnë për Ndërmjetësim dhe jo padi gjyqësore kryesisht nuk përfundojnë në divorc, pasi zgjidhen mosmarrëveshjet mes palëve.

Nga aspekti socio-ekonomik, ekspertët pohojnë se do të vihen re ulje të mëtejshme të divorceve, pasi emigracioni i lartë ka ulur martesat ndërsa post-moderniteti ka rritur bashkëjetesat.

Por, duhet thënë! Divorcet janë të shtrenjta për palët e përfshira dhe ky proces ka edhe ndërlikime në ekonominë e një shteti. Në studime të fundit ndërkombëtare, janë gjetur lidhje mes normës së divorceve dhe ekonomisë së shëndetshme.

Me divorcin vjen nevoja për një shtëpi tjetër (kryesisht me qira), burim energjie dhe ujë, kosto transporti dhe shpenzime të tjera.

Duhen pasur parasysh edhe pagesat për kujdesin e fëmijëve (në rast se ka) pas divorcit, pagesa për bashkëshorten (e rënë dakord në gjykatë apo edhe sipas ligjit të ndarjes së pasurisë), si dhe sistemi i sigurisë sociale (në rast lëshim urdhri mbrojtje, strehimi i një ish-bashkëshorteje nga shteti etj.

Bien divorcet me shifra

Sipas shifrave të fundit të bëra publike nga INSTAT, divorcet kanë shënuar ulje pas shumë vitesh në rritje të vazhdueshme.

Në vitin e fundit të raportimit 2021, janë regjistruar 15.8 divorce për 100 martesa, me ulje të ndjeshme nga një vit më parë, ku shifrat tregonin 24.4 divorce për 100 martesa. Ky është niveli më i ulët në gati një dekadë.

Në shifra, në 2021 u finalizuan gjithsej 3113 divorce, që janë gati gjysma e zgjidhjeve të martesës që u realizuan në vitin 2019, para se të fillonte pandemia. Divorcet ishin 27% më të ulëta edhe se në vitin 2020, kur shumë aktivitete u ndërprenë për shkak të kufizimeve nga pandemia.

Në vitin 2019 dëshmuam numrin më të lartë të divorceve, përkatësisht 26.1 divorce për 100 martesa. Ndonëse në vitet më pas, shifrat nisën të ulen, e parë në këndvështrimin e krahasimit të një dekade, ndryshimi është i konsiderueshëm.

Në 10 vitet e fundit, numri i divorceve ishte rritur, ndërsa numri i martesave ka pasur luhatje dhe rënie.

 

 

Emigracioni apo/edhe Reforma në Drejtësi

Sipas Margarita Kolës, eksperte ligjore dhe avokate, nuk ka një arsye të vetme që ka ndikuar në këtë trend, por një sërë arsyesh, të cilat ndër vite kanë pasur, qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë, apo tërthorazi, ndikimin e tyre.

“Ekzistojnë disa faktorë që ndikojnë në zgjidhjen e martesës, kështu që është e vështirë të drejtoj gishtin te një faktor i vetëm që siguron që çiftet të gëzojnë një jetë të gjatë dhe të lumtur së bashku.

Dhe shkalla e ulët e divorcit nuk do të thotë gjithmonë që çiftet janë të lumtur, kjo thjesht mund të nënkuptojë se rëndësia e martesës kapërcen lumturinë individuale. Kemi njohur plot raste që nuk divorcohen edhe për shkak të pjesëtimit të pasurive, edhe në rast se ka një problematikë të qenësishme”, – thotë znj. Kola.

Një tjetër element që përmend av. Kola është Reforma në Drejtësi. Sipas saj, pas vitit 2018, një avokat e ka pasur të vështirë të përshpejtojë rastet e marra në shqyrtim, për shkak të një mungese të theksuar të numrit të gjyqtarëve.

E thënë thjesht, nuk ka gjyqtarë aq sa të shqyrtohen çështjet në kohën e duhur. Av. Kola shton edhe se, pasojat do të shihen edhe më vonë, ku sipas saj pritet rritje e divorceve në tre vite pas pandemisë.

“Fillimi i procesit të vettingut vite më parë ka ndikuar në uljen e numrit të gjykatësve dhe në një shtrirje më të gjatë në kohë të procesit të divorcit. Ne kemi vënë re që, duke pasur më shumë çështje dhe më pak gjykatës, koha e përfundimit të një divorci ka kaluar nga 4 në më shumë se 6 muaj.

Në raste kur çiftet kanë fëmijë, gjyqi zgjat edhe më tepër. Kjo mund të ketë ndikuar në një grumbullim të më shumë rasteve në vitin 2021, të mbartura nga viti paraardhës apo më parë”, – thotë znj. Kola.

Presionet pandemike

COVID-19 gjithashtu ka përkeqësuar sfidat, nga ato financiare tek ato emocionale, duke detyruar shumë njerëz të bëjnë ndryshime të mëdha në stilin e jetës – madje edhe divorcin.

Vitin e kaluar, u parashikua se pandemia do të shkaktonte rritje të shkallës së divorcit, pasi ekspertët paralajmëronin rritje të kërkesëpadive për divorc.

Çiftet e martuara për një kohë të gjatë, të cilët në kohët para pandemisë kishin bërë jetë pothuajse të ndarë për shkak të angazhimeve në karrierë, papritur e panë veten që duhej të kalonin pjesën më të madhe të kohës së bashku, vetëm për të kuptuar se në fakt nuk kishin shumë të përbashkëta.

Presioni i përballimit të jetës në një kohë kaq të paprecedentë ka qenë i tepërt për disa martesa për t’i bërë ballë, pohojnë ekspertët.

Gratë e pavarura financiarisht

Për burrat dhe gratë, pasiguria financiare mund të jetë një arsye për të qëndruar në një martesë të palumtur. Megjithatë, në gjeneratat e mëparshme, gratë kishin shumë më pak gjasa të punonin jashtë shtëpisë dhe ishin më të varura nga bashkëshortët për siguri financiare.

Sot, gratë janë të pozicionuara mirë në fuqinë punëtore dhe tani kanë të ardhurat që u nevojiten për të mbijetuar vetë, nëse vendosin të ndahen. Shpesh, me të ardhura më të larta se sa meshkujt.

Marsida Simo, sociologe, thotë për “Monitor” se, pavarësisht se shifrat janë tregues të një fenomeni, në këtë rast edhe kemi një ulje të numrit për dy vitet e fundit, divorci ende mbetet një nga problemet e shoqërisë tonë.

“Zgjidhja e një martese fsheh brenda një sërë shkaqesh dhe fenomene të tjera, të cilat mund të lidhen me dhunën në familje, abuzimet psikologjike, varfërinë, emigrimin, sfidat në lidhje me fëmijët, sidomos kur një prej fëmijëve lind me aftësi të kufizuara, çrregullime etj.

Ndryshe nga vendet e tjera, në Shqipëri, zgjidhja e martesës nuk është vetëm një çështje private mes bashkëshortëve, por edhe ndërhyrje nga familja përkatëse apo dhe më gjerë.

Kjo e bën më të vështirë ndërtimin e një marrëdhënie më të shëndetshme mes palëve pas ndarjes sidomos kur në mes janë edhe fëmijët. Fëmijët janë ata që i vuajnë më shumë pasojat, kryesisht psikologjike, sociale dhe ekonomike”,- pohon ajo.

Sipas vëzhgimeve të saj, disa faktorë që çojnë çiftet në divorc janë:

-Pasiguria ekonomike, e cila lidhet me varfërinë apo jo stabilitetin financiar. Kjo e fundit detyron bashkëshortët të fokusohen në sigurimin e të ardhurave dhe mbijetesën. Jo pak herë, në këto familje ka konflikte, të cilat mund të thellohen në vitet më pas.

Edhe emigracioni mund të ndikojë në krisjen e marrëdhënies së çiftit, pasi burrat, të cilët janë më të shumtë që largohen për të siguruar të ardhura, nuk mund të krijojnë lidhje emocionale dhe të jenë të pranishëm me kohën e duhur për fëmijët dhe bashkëshorten.

-Dhuna në familje, sidomos ajo fizike, mendoj se është një tjetër faktor dhe madje një nga arsyet më të forta që gratë vendosin të dalin nga martesa.

Megjithatë, duke menduar mentalitetin në vendin tonë, të mos harrojmë që ka dhe gra që përpiqen ta ruajnë martesën edhe pse jetojnë në një marrëdhënie abuzive, për hir të fëmijëve apo shoqërisë, thotë në fund znj. Simo.

 

Ulja e produktivitetit

Psikologët vlerësojnë se divorci është një proces i cili ka ndikim të gjatë në jetën e ish-partnerëve, duke i cenuar ekonomikisht. Kjo shkakton rënie të standardit të jetesës së mëparshme dhe në rastin e individëve në karrierë, ndikim në produktivitet. Stresi është ndër pasojat e divorcit, që shpeshherë është i gjatë dhe financiarisht i vështirë.

Psikologët në Gjykatën e Tiranës tregojnë se dy nga katër nëna të divorcuara nuk marrin pagesën e plotë të mbështetjes së fëmijës.

Disa të tjera detyrohen të braktisin punën që kanë pasur më parë, në kushtet e kërkimit të një pune të përshtatshme edhe me oraret e fëmijëve (ekonomikisht nuk përballohet prania e një dadoje apo kopshti/shkolle private). Gjatë procesit të kërkimit të punës, shpesh hasin paragjykime apo vështirësi.

 

 

Duke u përgatitur për jetën

Planifikimi për financat tuaja sillet rreth ngjarjeve kryesore të jetës, nga martesa te marrja e një kredie, deri në pension, dhe të jesh i përgatitur për jetën do të thotë të mbrohesh nga të papriturat.

Por sa prej nesh planifikojnë mundësinë e divorcit në një moment në jetë? Sociologia Entela Binjaku tha se në vendin tonë është rritur shumë numri i divorceve dhe se ka më pak martesa.

Ajo tha se meshkujt e shtyjnë martesën për shkak të kushteve ekonomike, ndërsa vajzat për shkak të qasjes që kanë ndaj arsimimit.

“Sot ka një diferencë të madhe mes burrit dhe gruas në martesë. Meshkujt martohen më të vjetër ndërsa femrat më të reja dhe hendeku i moshës është rritur.

Numri i martesave është më i pakët ndër vite. Mendoj se shqetësimi duhet të jetë, sepse çiftet po shkojnë drejt divorceve. Meshkujt e shtyjnë martesën me sigurinë ekonomike, ndërsa gratë e lidhin me arsimimin. Kjo ka bërë që shumë gratë të shtyjnë martesën”, – tha sociologia.

 

Arsyet e divorceve

-emigracioni

-bixhozi

-varfëria e tejskajshme, veçanërisht në zonat rurale

-tradhtitë bashkëshortore

-paaftësia fizike apo mendore e një prej partnerëve, në disa raste edhe e fëmijëve të tyre

-diferencat në prioritet apo pritshmëritë e secilit

-pandemia

-varësia ndaj drogave të ndryshme

-abuzimi seksual apo psikologjik ndaj grave apo fëmijëve

-dhuna, alkooli

 

Pasojat ekonomike

-2 në 4 gra nuk sigurojnë nga ish-bashkëshorti pensionin ushqimor në favor të fëmijëve

-humbje pune për shkak të divorcit

-probleme me strehimin

-pas zgjidhjes së martesës, shumë gra e shohin veten në mes të katër rrugëve

-në rastin e familjeve më të varfra, femrat detyrohen të kthehen në shtëpitë e prindërve, gjë që shton barrën ekonomike edhe për to

Pasojat psikologjike

-Pas divorcit, shpeshherë fëmijët bëhen pjesë e statistikave të krimit, për shkak të mungesës së bashkëpunimit mes ish-bashkëshortëve, çka lë pasoja në jetën e tyre.

-Pas divorcit, pjesa më e madhe e bashkëshortëve e kanë të vështirë të përballojnë jetën të vetëm, të ngarkuar me një barrë angazhimesh dhe pasigurish, me të ardhura apo hapësirë banese të pamjaftueshme, shpesh në kërkim të një pune të paragjykuar nga mjedisi apo punëdhënësi.

Më pak martesa

Shqiptarët rezultojnë se po martohen gjithnjë e më pak. Të dhënat e INSTAT bënë të ditur se në vitin 2021 u lidhën gjithsej 19.7 mijë martesa në të gjithë vendin.

Ndonëse në raport me vitin pandemik, celebrimet janë rritur me 12.7%, – teksa në 2020-n numri i tyre ra ndjeshëm për shkak të kufizimeve -, martesat mbeten më të ulëta në raport me para pandeminë.

Sipas INSTAT, numri i lidhjeve me kurorë në 2021 ishte 12% më i ulët se në 2019-n dhe 15% më pak se në 2018-n. Me përjashtim të vitit të pandemisë, 2021-i është periudha me martesat më të ulëta pas viteve 90. (Shiko grafikun: Numri i martesave gjithsej, 1990-2021)

Ndryshimi i stilit të jetesës, ku karakteristikë është rritja e moshës së martesës (3-5 vjet më shumë se në fillim të viteve ’90), plakja graduale e popullsisë dhe emigracioni i lartë i të rinjve vlerësohen si faktorët kryesorë që kanë ndikuar në këtë tendencë.

Sipas INSTAT, mosha mediane e popullsisë (mosha që ndan popullsinë në dy pjesë të barabarta) ishte 38.2 vjeç në fillim të vitit 2022, rritje e ndjeshme në krahasim me fillimin e viteve ’90, kur ky tregues ishte më pak se 30 vjeç.

Në vitin 2021, mosha mesatare në martesë për burrat ishte 31,2 vjet (3 vjet më shumë se në fillim të viteve 90), ndërsa mosha mesatare në martesë për gratë ishte 27,7 vjet (gati 5 vjet më shumë se në fillim të viteve 90). Shiko grafikun: Mosha mesatare e martesës sipas gjinisë

Në vitin 2021, qarku me moshën mesatare më të lartë në martesë për burrat ishte ai i Gjirokastrës, me 33,6 vjet, ndërsa qarku me moshën mesatare më të ulët në martesë për burrat ishte Durrësi, me 30,5 vjet.

Në të njëjtin vit, qarku me moshën mesatare më të lartë në martesë për gratë ishte i Lezhës, me 28,9 vjet, ndërsa qarku me moshën mesatare më të ulët në martesë për gratë ishte i Durrësit, me 27,1 vjet.

 /Monitor

Artikuj te ngjashem

Me te fundit