Në kohën kur ende policia e shtetit nuk ka asnjë të dhënë në lidhje me shpërthimin e frikshëm që ndodhi mbrëmjen e së premtes në një mobilieri në aksin kryesor që lidh Tiranën me Fushë-Krujën, në Bushat të Shkodrës shënohet një tjetër sulm me tritol.
Për fat në të dyja rastet nuk ka pasur ndonjë indice për të sulmuar njerëz por vetëm prona, duke lënë të kuptohet se persona të caktuar duan të çojnë mesazhe për të zotët e pronave të shkatërruara! Policia bëri me dije se një sasi lënde eksplozivi shpërtheu në automjetin e OSHEE-së në njësinë Bushat të bashkisë Vau i Dejës.
Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të djeshëm, rreth orës 01:40, bën të ditur policia vendore e Shkodrës. Nga shpërthimi i tritolit janë shkaktuar vetëm dëme materiale ndërsa nuk ka persona të lënduar për shkak se në atë orë kur ndodhi ngjarja nuk ishte askush.
Menjëherë në vendngjarje mbërritën e forcat e policisë të postës së Barbullushit si dhe ekspertë e drejtorisë vendore të policisë Shkodër duke nisur hetimet pas shpërthimit të tritolit. Deri në këto moment policia nuk ka arritur ende të identifikojë autorët e kësaj ngjarje ndërsa po punohet për identifikimin e më pas gjetjen dhe kapjen e tyre.
Në kamerat e sigurisë shihet vetëm momenti i shpërthimit të tritolit tek automjeti i OSHEE-së së Bushatit ndërsa autorët nuk janë kapur nga kamerat e sigurisë për shkak se rrezja e kamerave nuk përfshin pjesën e rrugës. Nga dyshimet e grupit hetimor, autorët mendohet se kanë ndezur fillimisht fitilin e lëndës eksplozive dhe më pas nga rruga në një distancë jo shumë të madhe e kanë hedhur tek automjeti i OSHEE.
Menjëherë pas shpërthimit autorët janë larguar me shpejtësi në drejtim të paditur.
Janë ende të paqarta arsyet e shpërthimit të tritolit pranë zyrave të OSHEE dhe nëse kjo ngjarje lidhet me këtë institucion në Bushat apo mund të jenë arsye të tjera duke qenë se po i afrohemi gjithnjë e më shumë fushatës elektorale. Policia e Shkodrës është duke hetuar të gjitha pistat e mundshme që çuan në këtë ngjarje. Pas shpërthimit grupi hetimor sekuestroi automjetin e dëmtuar të OSHEE.
Ndërkohë, janë shkaktuar edhe dëme të tjera materiale pasi janë thyer xhamat e godinës së OSHEE në Bushat dhe xhami i një lokali tjetër ngjitur me OSHEE. Policia vijon hetimet për ta zbardhur të plotë këtë ngjarje. /btvnews.al