Festat e 7-8 Marsit kanë mbledhur së bashku mësues, arsimdashës, intelektualë dhe shumë qytetarë nga Bulqiza, të cilët iu bashkuan programit artistik të organizuar nga Qendra Kulturore e Femijëve Bulqizë.
Pjesëmarrës në këtë aktivitet, Kryetari i Bashkisë Bulqizë, Lefter Alla, i cili vlerësoi rolin e pazëvendësueshëm të mësuesve, të cilët sipas tij “janë misionarë të së mirës, që u mësojnë të tjerëve të mbeten nxënës besnikë ndaj dijes dhe gjatë gjithë jetës, që ushqejnë tek ata modestinë dhe durimin për të kuptuar se të mësuarit nuk ndalet deri në frymën e fundit”.
Sipas tij, dinamikat dhe transformimet e shumta që po karakterizojnë shoqëritë e sotme mund të ndryshojnë gjithçka, por jo rolin e mësuesit, urtësia e të cilit mbetet e pacenueshme në ndikimin që ka në edukimin, përgatitjen qytetare dhe intelektuale të individit.
I pranishëm në aktivitet ishte edhe Drejtori ZVAP Bulqizë, Fatos Muha, i cili uroi të gjithë mësuesit me rastin e ditës së tyre. Aktiviteti u zhvillua në mjediset e Pallatit të Kulturës, ku talentet e qytetit përmes këngëve, valleve e poezive ofruan emocione të veçanta për pjesëmarrësit. Në fund të takimit, Kryebashkiaku Alla iu dhuroi të gjithë mësuesve të pranishëm një dhuratë simbolike me rastin e festës së 7 Marsit./btvnews.al