Sekretarja e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar, Suella Braverman, ka prezantuar një ligj të ri që synon ndalimin e emigrantëve të paligjshëm që hyjnë në MB.
Sipas Braverman, ligji do të ndalojë “gomonet të cilat sjellin dhjetëra mijëra persona në brigjet” e MB.
Qeveria britanike beson se ndalimi i gomoneve, është një çështje me rëndësi edhe për votuesit.
Në vitin që lamë pas, mbi 45 mijë vetë kaluan La Manshin, krahasuar me 300 persona që ndërmorrën rrugëtimin e rrezikshëm në vitin 2018. Shumë prej tyre, shqiptarë që largohen nga vendi dhe aplikojnë për azil.
Çfarë parashikon ligji i ri?
Sipas ligjit të ri, Sekretarja e Brendshme do të ketë “detyrimin të largojë” ata persona që hyjnë në MB, nëpërmjet rrugëve të paligjshme dhe ky obligim do të ketë prioritet ndaj të drejtës së këtyre personave për të kërkuar azil. Ligji do të parashikojë disa përjashtime për personat nën 18 vjeç, apo ata me sëmundje të rënda, ose persona që janë në “rrezik serioz për t’u dëmtuar në mënyrë të pakthyeshme”.
Të gjithë personat e tjerë që hyjnë në MB ilegalisht, do të kenë mundësi të aplikojnë për azil, por jashtë territorit të Mbretërisë së Bashkuar.
Ligji gjithashtu parashikon ndalimin e personave që mbërrijnë në MB ilegalisht, pa të drejtën e lirimit me kusht apo apelit brenda 28 ditëve të ndalimit të tyre.
Ligji gjithashtu do të heqë mundësinë që emigrantët e paligjshëm të kërkojnë azil me arsyetimin e “skllavërisë moderne”, argument ky i përdorur gjerësisht edhe nga shumë shqiptarë, që pretendojnë se sillen në MB për të punuar për grupet kriminale.
“Nëse vini në Britani ilegalisht, ju do të ndaloheni dhe do të largoheni me shpejtësi. Do të largoheni drejt vendit tuaj nëse është i sigurtë, ose drejt një vendi të tretë të sigurtë si Ruanda”, tha Braverman.
Emigracioni i paligjshëm është një çështje e nxehtë që ka shkaktuar debate të forta në shoqërinë britanike. Azilkërkuesit shqiptarë kanë qenë veçanërisht në fokusin e mediave, pasi u raportuar se rreth 12 mijë prej tyre, mbërritën në brigjet e MB, gjatë gjashtë mujorit të parë të vitit 2022.