E shtunë, 30 Nëntor, 2024

Rrahu për vdekje hajdutin e pulave, gjykata jep arrest me burg për 22-vjeçarin

Dhunoi për vdekje 52-vjeçarin Lefter (Krenar) Brisku, që i hyri në banesë për të vjedhur pula, Gjykata e Beratit i jep masës e sigurisë “arrest me burg” 22-vjeçarit nga Kuçova Bjorsi Shushari. Avokati pretendoi në sallën e gjyqit se klienti i tij është trembur dhe vetëmbrojtur.

22-vjeçari Bjorsi Shushashi,i riu që dhunoi për vdekje mbrëmjen e 26 Shkurtit 52-vjeçarin Lefter (Krenar) Brisku, pasi ky i fundit i kishte hyrë në banesë për të vjedhur pula, ka dalë sot përpara togave të zeza të Gjykatës së Beratit për t’u njohur me masën e arrestit ndaj tij.

Shushari ka mbërritur në ambientet e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat nën masa të rrepta sigurie dhe masa e arrestit ka zgjatur rreth 1-orë.

Mësohet se prokurori i çështjes Elidon Hysenaj ka kërkuar nga gjykata vlerësimin “të ligjshëm” të arrestimit të 22-vjeçarit,pas vdekjes së këtij të fundit në Spitalin e Traumës në Tiranë dhe caktimin ndaj tij të masës së sigurisë “arrest me burg” pa afat.

Pasi ka dëgjuar edhe palën akuzuese por edhe atë mbrojtëse që e ka cilësuar ngjarjen e ndodhur në kushtet e një vetëmbrojtje të nevojshme, duke deklaruar se klienti i tij ishte trembur kur kishte parë hajdutin në shtëpi dhe ishte përleshur me të, gjyqtarja Albana Misja,e ka cilësuar “të ligjshëm” arrestimin e Bjorsi Shusharit dhe ka caktuar për të masën e sigurisë “arrest me burg” pa afat.

Avokati i të riut tha se klienti i tij ka vepruar në kushtet e vetëmbrojtës dhe se do ta apelojnë vendimin e Gjykatës, e cila caktoi sot masën e sigurisë “arrest me burg”.

“Ne deklaruam se ai ka konsumuar nenin 19 të Kodit Penal, atë të vrasjes në kushte e mbrojtës së nevojshme të personit. Nga provat dhe faktet, plotësoheshin të gjitha kriteret që ai të marrë pafajësinë.

Në rastin konkret u bë një debat i fortë mes akuzës dhe mbrojtjes së tij, për problemin nëse janë tejkaluar kufijtë e nevojshëm ose jo, dhe shkaku kryesor sipas nesh nuk ka qenë se klienti që unë mbroj e ka sulmuar me mjete të forta, të cilat përbëjnë tejkalim të masës së mbrojtjes së nevojshme, por për këtë arsye gjykata nuk e mori në konsideratë dhe për shkak se kemi një viktimë, dhe s’kemi arsye tjetër, dhe për këtë ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg. Ne do ta apelojmë këtë vendim dhe jemi të bindur se vepra që ka kryer nuk përbën rrezikshmëri shoqërore”, tha avokati. /btvnews.al

Artikuj te ngjashem

Me te fundit