E hënë, 18 Nëntor, 2024

Tragjedia e Gërdecit, Fatmir Mediu nuk u paraqit në gjyq, shtyhet seanca paraprake

Seanca paraprake për tragjedinë e Gërdecit në GJKKO është shtyrë më 23 Mars. Në seancën e sotme nuk ishin prezent prokurorët e çështjes e as vetë ish-ministri Fatmir Mediu. Ai zgjodhi që të ishte i përfaqësuar nga avokati i tij.

Gjyqtarja, Irena Gjoka caktoi datën 23 mars për të marrë një vendim nëse do të kalojë çështjen për gjykim. Avokatët kërkojnë pushimin e çështjes. Në rast se çështja nuk pushohet, avokatët do të kërkojnë gjykim të shkurtuar.

Por pse akuzohet Fatmir Mediu? SPAK kërkoi rigjykimin e Mediut, pasi e akuzon si një nga ish zyrtarët përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit, me 26 të vrarë dhe qindra të plagosur. Gjykata e Lartë vendosi t’ia dërgojë këtë çështje për kompetencë GJKKO-së, me arsyetimin se me ndryshimet e fundit ligjore në kuadër të reformës në drejtësi, i takon asaj ta shqyrtojë dosjen penale ndaj ish-zyrtarit të lartë.

Apeli i GJKKO vendosi hapjen e çështjes duke marrë të pandehur ish-ministrin. Ndërkohë Mediu ka dorëzuar rekursin në Gjykatën e Lartë ku kundërshton vendimin e Gjykatës së Apelit të Posaçëm duke pretenduar se vendimi i Apelit është antikushtetues.

Sipas avokatëve të tij, ky vendim cënon parimin e gjësë së gjykuar, sa kohë një kërkesë për rigjykim është rrëzuar më herët nga Gjykata e Tiranës dhe Apeli i saj. /btvnews.al

Artikuj te ngjashem

Me te fundit