E enjte, 28 Nëntor, 2024

Shoferi tentoi të fuste në Shqipëri rreth 330 mijë euro të padeklaruara, arrestohet nga policia

Një shumë prej rreth 330 mijë euro është zbuluar në kabinën një kamioni që udhëtonte nga Italia për në portin e Durrësit.

Policia kufitare e Durrësit gjeti 150.000 euro dhe 164.735 paund britanik gjatë një kontrolli në mjet, shumë parash e cila nuk ishte deklaruar nga shoferi i kamionit, 53 vjeçari me iniciale D. H., banues në Tiranë.

Njoftimi i policisë:

Sekuestrohen 150 000 euro dhe 164 735 paund britanik të padeklaruara në Portin e Durrësit.

Vihet në pranga drejtuesi i kamionit që transportonte paratë dhe tentoi t’i fuste ato në Shqipëri.

Strukturat hetimore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara në portin e Durrësit, falë inteligjencës informative për një shtetas që po tentonte të fuste në Shqipëri një shumë të madhe parash në euro dhe në paund, kanë organizuar punën me qëllim goditjen e këtij rasti.

Në bashkëpunim me Policinë Kufitare të portit Durrës dhe Sektorin për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare në DVP Durrës, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Shuma”, në kuadër të të cilit u kalua për kontroll të detajuar, në vijën e dytë, kamioni që drejtohej nga shtetasi D. H., 53 vjeç, banues në Tiranë, i cili udhëtonte nga Italia për në portin e Durrësit.

Gjatë kontrollit të detajuar, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura në kabinën e kamionit, 150 000 euro dhe 164 735 paund britanik, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të këtij rasti, identifikimin dhe kapjen e poseduesit/sve të këtyre shumave të parave në euro dhe në paund.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. /btvnews.al

Artikuj te ngjashem

Me te fundit