E hënë, 2 Dhjetor, 2024

Prezantohet drejtuesja e re e Kadastrës, Rama: Luftë kundër korrupsionit, s’do lejohet asnjë shkelje

Pas dorëheqjes së Artan Lames nga Kadastra është prezantuar këtë të shtunë drejtuesja e re, Dallëndyshe Bici.

Ka qenë vetë Kryeministri Edi Rama, i cili ka bërë prezantimin e Bicit dhe ka dhënë porositë se si duhet të funksionojë ky institucion.

Kreu i qeverisë theksoi se prioriteti i drejtoreshës së re është të luftojë korrupsionin, duke shtuar se për zbatimin e plotë të ligjit dhe shmangien e çdo ndërhyrjeje në sistemin digjital të këtij institucioni do të ngrihet një task-forcë speciale.

“Shërbimi tani e tutje do të jetë online, është koha për një shtysë të re. Duhen mbyllur të gjitha sportelet. Nuk duhet të funksionojë më zona ndarëse. Drejtorja e re një nga detyrat që ka është që të merret direkt me një task forcë të brendshme për të çuar aty ku duhet të gjitha ata që kanë luajtur bishtin e institucionit për interesat e tyre. Drejtoresha e re duhet të luftojë korrupsionin.

Duhet një punë intensive për procesin e dhënies në dorëzim të tokave që janë jashtë rruzullit të 7501 në zonat e caktuara të vendit ku duhen dhe hapa të tjerë konkretizues. Në fund të ditës duhet futur menjëherë në punë shërbimi satelitor në mënyrë që puna e Kadastrës të marrë plotësisht dimensionin teknologjik. Natyrisht që problematika bazë mbetet stabiliteti dhe cilësia e burimeve njerëzore dhe në këtë aspekt kërkohe që Kadastra të vazhdojë të blindohet për të mos lejuar influencat e jashtme sepse është Banka më e rëndësishme e vendit. Askujt mos t’i shkojë ndërmend që Kadastra është një zyrë punësimi, por në këtë aspekt përgjegjësia është e përgjithshme dhe politike. Përgjegjësinë kryesore natyrisht e ka qeveria. E fundit që kam për ju, e kam për të gjithë ata që punojnë në administratën shtetërore lidhur me trimërinë dhe frikën. Se dëgjoj shpesh që janë trembur njerëzit dhe kanë frikë të firmosin, s’ka pse të ketë frikë nëse zbaton ligjin dhe është aty për t’i shërbyer vendit, njerëzve dhe për të garantuar që ligji është në funksion të njerëzve”, tha ndër të tjera Rama./btvnews.al

Artikuj te ngjashem

Me te fundit