Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha në mbledhjen e bordit të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) se shpreson që deri në fund të vitit të mund ta vizitojë Kosovën, raporton Radiotelevizioni i Serbisë (RTS).
Në këtë takim, Vuçiç tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka konfirmuar se nuk do ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, sepse nuk është në përputhje me ligjet e Kosovës.
“Ne po përgatitemi për bisedime të hënën dhe të martën, dhe pas kësaj do të shkojmë në Ohër. Më besoni se nuk e kam të qartë se për çfarë të flasim atje”, tha ai.
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, do ta vizitojë Beogradin më 13 dhe 14 mars.
Lajçak ka qëndruar në Kosovë më 9 dhe 10 mars. Fillimisht ai takoi presidenten e vendit Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
Pas takimit me Lajçakun, Kurti, u shpreh i gatshëm që më 18 mars në Ohër ta nënshkruajë Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.