Afati prej 48 orësh i vendosur nga kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi për PD-në për të dorëzuar dokumentacionin e plotë, ka përfunduar.
Mirëpo, pa përfunduar ky afat PD e Alibeajt iu drejtua Komisionit të Ankimeve dhe Sanksioneve.
Në fakt të dy grupet e PD-së, si ajo e Berishës edhe e Alibeajt, pas ‘luftës’ në Gjykatë dhe kërkesave të depozituara në KQZ, tanimë u ‘përplasën’ në KAS dhe kërkojnë zgjidhjen se cila PD do te regjistrohet në zgjedhje.
Ditën e sotme, në KAS do të hidhet shorti për të përcaktuar relatorët e dy kërkesave ankimore të depozituara nga Berisha e Indrit Sefa, përfaqësuesi ligjor i grupit të Alibeajt.
Sipas PD-së së Alibeajt, shkresa për angazhimi solemn për refuzimin për të marrë pjesë në praktika të blerjes së votës, nuk është përgjegjësi personale, por që merret në cilësinë e kryetarit të partisë që në rastin konkret ia ka kaluar kompetencat përfaqësuesit ligjor. Në një letër zyrtare të firmosur nga Sefa, thuhet se Basha është dorëhequr dhe se dokumentacioni i paraqitur është i plotë sipas rregullave.
Ndërkohë nga ana tjetër, Berisha kërkon zhbërjen e vendimit të Celibashit, i cili vendosi që ish-kryeministri të mos regjistrohet në zgjedhje me siglën e Partisë Demokratike.
Në argumentimin e anikimit, Berisha i cili firmos si kryetar i Partisë Demokratike shkruan se të gjitha faktet, indiciet dhe provat në disponim provojnë në mënyrë të qartë dhe të pakundërshtueshme se PD e përfaqësuar me kryetar Sali Berisha duhet të regjistrohet si subjekt zgjedhor nga KQZ. btvnews.al