KAS nuk ka pranuar të shqyrtojë ankimimet e Enkelejd Alibeajt dhe Sali Berishës për çështjen e vulës së Partisë Demokratike, duke e kthyer sërish te Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi i la 48-orë Lulzim Bashës që të firmosë vetë deklaratën si kryetar i PD-së për të regjistruar partinë në zgjedhjet e 14 majit. Por, kjo nuk mjafton për KAS, që thotë se ky nuk ishte një vendim përfundimtar, por i ndërmjetëm.
Tashmë, Celibashi duhet të vendosë për regjistrimin e partisë më të madhe opozitare në zgjedhje.
Grupi i Alibeajt argumenton se Lulzim Basha nuk është më kryetar i partisë dhe si rrjedhojë nuk do të hedhë asnjë firmë në dokumente.
Vendimin nga ana tjetër e kundërshton edhe grupimi i Berishës, që ndonëse ka akses në selinë blu, ligjërisht nuk ka në dorë as vulën, as logon e partisë.