E hënë, 21 Prill, 2025

Mat – Kanosi me armë një person, vihet në pranga 80-vjeçari i dënuar për vrasje

Policia e Matit ka parandaluar një ngjarje të mundshme kriminale. Në një njoftim për mediat, policia sqaron se ka arrestuar një 80-vjeçar, i cili për motive pronësie kanosi me armë një person tjetër.

Blutë e Matit bëjnë me dije si i arrestuari ishte i dënuar dhe më parë për vrasje. Atij iu sekuestruan një armë zjarri kallashnikov, 3 krehëra me 82 fishekë dhe 2 granata dore.

NJOFTIMI I PLOTË

Falë ndërhyrjes së Policisë parandalohet një ngjarje e mundshme kriminale. Kanosi me jetë për motive pronësie një shtetas dhe mbante armë zjarri, municion luftarak e granta, vihet në pranga nga policia.

I arrestuari, i dënuar më parë për vrasje. Shërbimet e Policisë sekuestruan një armë zjarri automatik, 3 krehëra me 82 fishekë dhe dy granata dore.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, morën njoftim se në lagjen “Pjetër Budi”, në Burrel, shtetasi I.L., i dënuar më parë për vrasje , po konfliktohej për motive pronësie dhe po kërcënonte me jetë shtetasin K.K.

Gjithashtu Policia mori informacion se shtetasi që e kërcënonte dyshohet se mbante armë zjarri.

Menjëherë shërbimet e Policisë organizuan punën dhe falë ndërhyrjes së menjëhershme parandaluan përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit dhe vunë në pranga shtetasin I.L., 80 vjeç, banues në Burrel ( i dënuar më parë për vrasje).

Shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri automatik, tre krehra, 82 fishek dhe dy granata që 80-vjeçari i mbante pa leje dhe kërcënonte me jetë shtetasin K.K.  Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./btvnews.al

Artikuj te ngjashem

Me te fundit