Kompania pronare e Facebook-ut, Meta, njoftoi të martën se do të shkurtojë 10 mijë vende pune dhe 5 mijë pozita të tjera të hapura por që nuk kanë punësuar askënd, transmeton Anadolu.
Bashkëthemeluesi dhe drejtori ekzekutiv i kompanisë, Mark Zuckerberg në një postim shkroi se planet e ristrukturimit janë të fokusuara në anulimin e projekteve me prioritet më të ulët dhe uljen e normave të punësimit.
“Me më pak punësime, kam marrë një vendim të vështirë për të reduktuar më tej madhësinë e ekipit tonë të punonjësve. Presim të shpallim ristrukturime dhe pushime nga puna në grupet tona të teknologjisë në fund të prillit dhe më pas grupet tona të biznesit në fund të majit. Në një numër të vogël rastesh, mund të na duhet deri në fund të vitit për të përfunduar këto ndryshime”, tha ai.
Zuckerberg e quajti vitin 2023 si vitin e “efikasitetit”, duke thënë se shkurtimet shërbejnë për të ndërtuar “një kompani më të shkathët dhe më teknike”. “Në Vitin tonë të Efikasitetit, ne do ta bëjmë organizatën tonë më të lavdishme duke hequr shtresa të shumta të menaxhimit”, tha ai.
Meta pushoi nga puna më shumë se 11 mijë punonjës në nëntor, duke shkurtuar fuqinë punëtore me 13 për qind.
Çmimi i aksioneve të kompanisë u rrit me 5.6 për qind në 191.12 dollarë në orët e mëngjesit në Nasdaq pas njoftimit, pas mbylljes të hënën me 180.9 dollarë për aksion.