Kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla u arrestua dje pasi SPAK zbuloi korrupsionin në bashki për t’i dhënë një biznesmeni një tender 2.8 milionë euro.
Bëhet fjalë për biznesmenin Aqif Konesha, pronar i kompanisë 2AF ALBANIA GROUP (ish “2AF COMPANI”). Ai do të merrte tenderin për të kryer punimin në ujësjellës, duke u favorizuar padrejtësisht si miku i kryebashkiakut.
Në pranga janë edhe 12 zyrtarë të tjerë si dhe Denis Xholi, përgjegjëst i zyrës juridike në Bashkinë Bulqizë.
Por Xholi dhe Konesha nuk janë emra të panjohur për publikun. Ata kanë dalë në përgjimet e vitit 2021 për blerjen e votave në Dibër. Madje Denis Xholi, së bashku me Albjon Çekun janë dënuar me nga 1 vit burg për korrupsion në zgjedhje.
Në atë kohë policia tha se “në automjetin me të cilin udhëtonin shtetasit e lartpërmendur, policia sekuestroi një shumë lekësh, modelar për të orientuar zgjedhësit për mënyrën e votimit si dhe fletëpalosje të një subjekti politik”.
Denis Xholi dhe Abjon Çeku u arrestuan tre ditë para zgjedhjeve të 25 prillit 2021 në Maqellarë të Dibrës.
SPAK tha atëherë se ishin mbledhur prova me anë të të cilave u provua se i pandehuri Denis Xholi, në bashkëpunim me të pandehurin Abion Çeku, shpërndanë në Njësinë Administrative Maqellarë, shuma monetare te persona të tjerë, me qëllim përcaktimin e mënyrës së votimit të zgjedhësve, në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
“Po kështu, nga hetimet është provuar se i pandehuri Denis Xholi, i cili ka ushtruar funksionin e përgjegjësit të zyrës juridike në Bashkinë Bulqizë, në kundërshtim me parashikimet e nenit 91 të Kodit Zgjedhor, gjatë orarit të punës është vënë në mbështetje të kandidatëve për deputetë dhe të subjekteve zgjedhore.” thuhej në njoftimin e SPAK.
Në përfundim të hetimeve, i pandehuri Denis Xholi u akuzua se ka kryer veprat penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”, të parashikuar nga nenet 328-25 dhe 328/a/1 të Kodit Penal, ndërsa i pandehuri Abion Çeku u akuzua se ka kryer veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 328 e 25 të Kodit Penal.
Makina në të cilën udhëtonin Xholi me Çekun u bllokua nga mbështetës të Partisë Demokratike pasditen e 22 prillit 2021, me dyshimin se ishin duke shpërndarë para për vota. Makina qëndroi e bllokuar për disa orë, deri në mbërritjen e policisë dhe prokurorit dhe në të u gjetën 500 mijë lekë, fletëpalosje të kandidatit të Partisë Socialiste, Melaim Damzi dhe lista me emra votuesish.
Gjykata i dënoi ata me 1 vit dhe në përgjimet e telefonave të tyre vërtetoheshin biseda ku flisnin për shpërndarje parash.
Por, paratë nuk ishin e vetmja mënyrë për të blerë vota. Dy të dënuarit kanë bërë presion me anë të ndihmës ekonomike për të siguruar vota, siç duket edhe nga përgjimet.
Denis Xholi: Ja ta takoj nesër atë. Takova Bert Qosen sot.
Besmir Xholi: Nuk e di o punët nuk janë fare mirë këtë di me thënë. Çfarë tha Berti.
Denis Xholi: Ashtu më duket dhe mua. Ta shoh më tha, haha. Duhet me ju bë içik presion nga asistenca se jan bë kopila.
Besmir Xholi: Po mirë mendoju thuj tua bëjn ato që u japin, se merrte mani danit 210 mijë lekë asistencë edhe shumë mirë ua bëjnë. Shpendit a i ke thënë gjë?
Kushëriri Keli: Denis këto janë llafet thoi Kelit na fut ndonjë gjë se jemi copë copë dhe dhjetë vota për 100, o Deno thoj kushos tim 300 mijë bëji gati dhe ti jap 10 vota si dush.
Denis Xholi: Ok. Ok.
Pas bisedës, Denis Xholi frikësohet nga përgjimet dhe 20 minuta me vonë i dërgon një tjetër mesazh ku i shkruan.
Denis Xholi: Të lutem nuk merrem me kështu punësh unë.
Dosja përmban edhe komunikime të tjera kryesisht gjatë fushatës elektorale një është ai i datës 10 prill ku Denis Xholi i kërkon një personi të njohur si Nipi i Xhatit t’i sigurojë një listë me emra për të blerë vota
Denisi Xholi: Të lutem më bëj një listë emrash po munde ku mund të bëjmë punë.
Nipi Xhatit: Sa emra do?
Denis Xholi: Hahaha ku mund të bëjmë punë me i kontaktu me i sqaru.
Nipi Xhatit: Se di a janë për takim po un u them ashtu sikur na the ti.
Albjon Çeku i arrestuari tjetër për këtë dosje të hetuar nga pokuroria e posaçme në 19 prill ka biseda me persona ku pranon se janë blerë vota
Aranit Osmani: Paraja blen dhe votën.
Albjon Çeku: Hahaha po, ta blen pz.
Në fokus të ndikimin tek zgjedhësit në Dibër ka qenë edhe vota për kandidatët brenda të njëjtës forcë politike.