Akuzat e mundshme penale ndaj ish-Presidentit Donald Trump në Nju Jork kanë të bëjnë me një pagesë për aktoren e filmave pornografikë Stormy Daniels në ditët e fundit të fushatës presidenciale të vitit 2016, në këmbim të heshtjes së saj. Pagesa u bë nga ish-avokati i zotit Trump, Michael Cohen, si pjesë e një skeme për të parandaluar publikimin e lajmeve të dëmshme politikisht rreth marrëdhënieve jashtëmartesore të manjatit të pasurive të patundshme.
Zoti Cohen pranoi fajësinë në lidhje me këtë rast në vitin 2018, por prokurorët federalë nuk e paditën zotin Trump, duke ia lënë prokurorit të qarkut të Nju Jorkut që ta ndiqte çështjen në bazë të ligjeve të shtetit. Në gjyqin ndaj zotit Cohen në vitin 2018, prokurorët federalë detajuan hollësitë se si ai, nën urdhrat e zotit Trump, u përpoq të parandalonte bërjen publike të pretendimeve ndaj kandidatit Trump për këtë marrëdhënie.
Përveç zotit Cohen, një rol kyç në këtë përpjekje luajti David Pecker, kreu i kompanisë American Media Inc. (AMI), që në atë kohë publikonte tabloidin National Enquirer. Zoti Pecker, një mik i vjetër i zotit Trump, kishte ofruar “të ndihmonte me menaxhimin e artikujve të mundshëm negativë rreth marrëdhënieve (të zotit Trump) me gra” duke identifikuar histori që mund të bliheshin për të mos u botuar.
Në gusht të vitit 2016, AMI ra dakord t’i paguante ish modeles së revistës Playboy Karen McDougal 150,000 dollarë për të drejtat e historisë së saj rreth një lidhjeje të dyshuar me zotin Trump në periudhën 2006 – 2007. Dy muaj më pas, një përfaqësues i zonjës Daniels, informoi AMI-n se aktorja pornografike do të fliste publikisht për një marrëdhënie seksuale me zotin Trump dhe ishte e gatshme ta shiste historinë e saj.
Zoti Pecker nuk arriti dot një marrëveshje me zonjën Daniels dhe e vuri agjentin e saj në kontakt me avokatin Cohen, i cili negocioi një marrëveshje prej 130,000 dollarësh për të “blerë heshtjen (e saj)”, thanë prokurorët në gusht të vitit 2018.’ Një pagesë në këmbim të heshtjes nuk është krim. Por prokurorët federalë thanë se zoti Cohen ndërmjetësoi pagesat për zonjën Daniels dhe zonjën McDougal, në një përpjekje për të ndikuar në fushatën presidenciale.
Për më tepër, thanë prokurorët, ajo që duhej të ishte raportuar si shpenzim fushate elektorale, u regjistrua si shpenzim ligjor, një shkelje e ligjeve federale për financimin e fushatave. Organizata Trump më vonë e rimbursoi zotin Cohen në bazë të një “marrëveshjeje për shërbimet e tij” ligjore. Në fakt, sipas prokurorëve federalë, “nuk ekzistonte një marrëveshje e tillë dhe faturat mujore të paraqitura nga zoti Cohen nuk ishin për ndonjë shërbim ligjor, që ai kishte ofruar në vitin 2017.”
Në gusht 2018, zoti Cohen pranoi fajësinë për tetë akuza penale federale, përfshirë shkelje të ligjit të financimit të fushatave në lidhje me pagesën prej 130,000 dollarësh për zonjën Daniels. Para se të pranonte fajësinë, zoti Cohen pranoi nën betim se pagesat i kishte bërë në këmbim të heshtjes së saj “në koordinim dhe nën drejtimin” e ish-presidentit.
Zoti Trump ka pranuar se zotit Cohen iu rimbursuan 130,000 dollarët e paguara për zonjën Daniels për të ndaluar “akuzat e saj të rreme dhe shantazhuese”. Por ai ka mohuar se pagesa ishte “kontribut për fushatën”. “Nuk ka pasur shkelje tek ajo që kemi bërë”, i tha ai agjencisë Reuters në vitin 2018. Zoti Cohen kreu dënimin me rreth tre vjet burg përpara se të lirohej në vitin 2021.
Prokurorët federalë nuk e akuzuan ish-presidentin Trump dhe çështja kundër tij u ndërpre në vitin 2019. Edhe ish-prokurori i qarkut të Manhatanit, Cyrus Vance, nuk ngriti akuza ndaj zotit Trump. Por prokurori aktual i Manhatanit, Alvin Bragg, i zgjedhur në nëntor 2021, ka rihapur hetimin për të përcaktuar nëse zoti Trump ka shkelur ndonjë ligj shtetëror në lidhje me pagesat në këmbim të heshtjes.
Ende nuk dihet se cilat do të jenë akuzat ndaj ish-presidentit nëse ato ngrihen, por ekspertët ligjorë thonë se ka të ngjarë që ato të përqendrohen tek falsifikimi i dokumenteve financiare të kompanisë së zotit Trump. Sipas kësaj teorie, zoti Trump dyshohet se nën justifikimin e një shpenzimi ligjore, fshehu pagesat për heshtjen e zonjës Daniels, duke shkelur ligjet federale për zgjedhjet, thonë ekspertët ligjorë.
Sipas ligjit të Nju Jorkut, falsifikimi i të dhënave të biznesit konsiderohet zakonisht si një kundravajtje. Për ta ngritur akuzën në nivelin e një vepre penale, prokurorët duhet të vërtetojnë se veprimi i mashtrimit është kryer me qëllim të kryerjes, ndihmës, ose fshehjes së një krimi tjetër.
“Ky krim tjetër duket se është shkelja ligjeve federale për financimin e fushatave, gjë për të cilën Departamenti i Drejtësisë më parë nuk pranoi të ngrinte akuza,” shprehet Jonathan Turley, një profesor i së drejtës në Universitetin George Washington, në gazetën “The Hill”. Zoti Trump ka thënë se “nuk ka bërë absolutisht asgjë të gabuar” dhe e ka quajtur hetimin e Prokurorit të Qarkut të Nju Jorkut një “gjueti shtrigash” të udhëhequr nga një prokuror “racist”. Prokurori Bragg është afrikano-amerikan.
Ky nuk është i vetmi rast penal që i kanoset ish-presidentit. Në shtetin tjetër, atë të Xhorxhias, prokurorët po shqyrtojnë mundësinë e ngritjes së akuzave penale në lidhje me përpjekjet e zotit Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale 2020 në këtë shtet, ku ai humbi me një diferencë të ngushtë ndaj presidentit aktual Joe Biden.
Ndërkohë, prokurori i posaçëm, i emëruar nga Departamenti i Drejtësisë Jack Smith, po heton rolin e zotit Trump në përpjekjet për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve, si dhe trajtimin nga ana e tij të dokumenteve të klasifikuara, pasi la detyrën. Nëse ndaj tij do të ngrihej ndonjë akuzë penale, zoti Trump do të bëhej ish-presidenti i parë në histori që akuzohet penalisht./Zëri i Amerikës