Dy grupe kriminale që shpërndanin lëndë narkotike u çmontuan nga policia e Tiranës.
Në pranga përfunduan 20 persona ndërsa u shpallën në kërkim katër të tjerë. Megaoperacioni antidrogë I koduar “Harta” u zhvillua pas një procedimi penal të nisur në muajin janar të këtij viti.
Gjatë tre muajve hetime, agjentët arritën të identifikonin të gjithë anëtarët e dy grupeve si dhe zonat ku ata e shisnin drogën në Tiranë e Kamzë. Sipas policisë, të arrestuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin vepronin kryesisht në afërsi të shkollave, lokaleve të natës por dhe pranë në ambienteve të tjera që frekuentoheshin nga të rinjtë.
Ata shpërndanin, kokainë, heroinë, e kanabis. Për të shmangur kontrollet e befasishme të policisë ata qarkullonin me automjete të transportit publik ndërsa përdornin dhe mesazhe të koduara.
Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 kilogramë e 120 gramë kokainë, 300 doza kanabis, 130 doza heroinë, shuma parash rreth 5 milionë lekë të vjetra, 1700 euro, 11 automjete dhe 29 aparate celulare.
Ndërkohë vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.