Bordi i Transparencës ka publikuar çmimet e reja të shitjes së karburanteve në vend. Në vendimin e marrë këtë të enjte, vihet re se çmimet janë rritur krahasuar me sa shiteshin deri sot në treg.
Prej orës 18:00 në pikat e shitjes me pakicë nafta do të tregtohet me 185 Lekë për litër nga 182 që ishte më parë. Me të njëjtin çmim do të tregtohet dhe benzina, ndërsa gazi ka mbetur i pandryshuar, 75 lekë/litër.
Këto çmimet do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
VENDIMI I PLOTË
Vendimet e Bordit të Transparencës në datë 23 Mars 2023 kanë ndryshime të çmimit nga ai i përcaktuar në mbledhjen e fundit. Referuar të dhënave lidhur me bursën Platts të datës 22.03.2023, kemi ndryshime të çmimit nga ai përcaktuar në mbledhjen e fundit, konkretisht rezulton se çmimi (FOB/MED $ Ton) i Benzinës është 850, +75 nga data 15.03.2023, $/ Ton, ndërsa çmimi i Gazoilit/Diesel është 760, +39 nga data 15.03.2023, $/Ton. Kursi i këmbimit i BSH ka pësuar zbritje në 106.63 (-1.65 nga data 15.03.2023).
Si rrjedhojë çmimet e vendosura janë: Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 187 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 175 lekë/litër. Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 185 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 173 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 75 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 63 lekë/litër për automjetet. Çmimi i gazoilit për peshkim është vendosur 93 lekë/litër.
Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi në datë 23 Mars ora 18.00, dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
Bordi i transparencës që në krijimin e tij i është përmbajtur me përpikmëri në vendimet e tij lëvizjes së bursës Platts të Mesdheut për gazoilin, benzinën, si dhe faturave zyrtare të operatorëve. Ministria e Financave dhe Ekonomisë ndjen detyrimin të sqarojë opinionin publik se jo çdo lëvizje e bursës së naftës bruto reflektohet në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën masë në bursën e gazoilit dhe benzinës./btvnews.al