E mërkurë, 27 Nëntor, 2024

Nën përgjim prej 3 vitesh nga policia dhe SPAK, si u zbulua lidhja e kryebashkiakut të Bulqizës me biznesmenin që i dha tenderin

Zbardhet dosja e Lefter Allës, kryebashkiakut të Bulqizës i arrestuar pak ditë më parë me urdhër të SPAK për “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”,dhe “Shpërdorimi i detyre”.

Sipas dosjes së siguruar nga gazetarja Klodiana Lala për “BalkanWeb” SPAK ka vëzhguar udhëtimet e kryebashkiakut Alla me biznesmenin Aqif Konesha, firma e të cilit ka kryer dhe punimet për rrjetin e ujësjellësit.

Përgjimet dhe vëzhgimet nga Policia dhe SPAK datojnë nga viti 2020, nga të cilat vërtetohet dhe miqësia mes tyre.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, Kryebashkiaku i Bulqizës së bashku me vartësit e tij kanë përpiluar letrat me qëllim që tenderin ta fitonte bashkimi i kompanive BOE EGLAND& BE-IS. Më pas punimet do t’i kryente kompania 2AF ALBANIA GROUP, e cila do të merrte edhe shumën e përcaktuar nga buxheti i Bashkisë.

Kompania që do kryente punimet administrohej nga Aqif Konesha, njeri i afërt i Allës, edhe ky i arrestuar. Gjatë vëzhgimeve në terren dhe përgjimeve, SPAK ka arritur të sigurojë prova për lidhjen mes tyre. Ata janë parë së bashku në disa ambiente, kanë udhëtuar jashtë vendit dhe kanë pasur komunikim mes tyre në rrjetin whatsapp. Po kështu sillen në dosje dhe postimet e kryebashkiakut Alla.

Në dosje rezulton se në një moment të hetimit, të akuzuarit kanë rënë në gjurmë të ndjekjes së autoriteteve dhe kanë nxituar të rregullojnë letrat. Në dosje thuhet se fituese të tenderit janë kompanitë e Rasim Dacit dhe Dali Gazidedes, por punimet janë kryer nga Aqif Konesha. Ky i fundit pretendon se ka pasur marrëveshje nënkontraktore me dy kompanitë fituese, e cila është firmosur më 17 maj 2021.

Por deklarimet e dhëna nga Rasim Daci kanë elementë kontradiktorë, pasi nuk saktëson datën kur ka lidhur marrëveshjen nënkontraktore me Aqif Koneshën, kompania e mikut të Lefter Allës që ka kryer punimet. Daci ka deklaruar se marrëveshja është lidhur për shumë e 4 milionë leke të reja, por më pas në dokumente është shkruar shuma 36 milionë lekë. Në përgjime rezulton se Rasim Daci ka orientuar Dali Gazideden se si të flas para hetuesve gjatë marrjes në pyetje.

“Shkëputja e punimeve tre muaj ka qe eee”, në Shkurt kemi rifillu prapë. Në Tetor e kemi mbyllur. A e kupto atë muhabet? Edhe për punë tubash jo sa janë vu, ku e mbaj mend se sa janë vu, e di që ne e kemi përfunduar atë komplet thuaj. Se mbaj mënd unë se sa janë vu, si janë vu thuaji. Mos u ngatërro me data, në shifra”, i thotë ai Gazidedes.

Pas nisjes së hetimeve nga SPAK për këtë tender administratorët kanë nisur që të printojnë edhe fatura për punimet që po kryenin.

Kryebashkiaku Lefter Alla, Rasim Daci dhe supervizorja Ana Nishku kanë firmosur një procesverbal në bashkinë e Bulqizës për rifillim të punimeve me datën 11 shkurt 2022. Por në këtë pikë hetuesit kanë kërkuar ndihmën e kompanive celulare. Sipas qelizave të celularëve, ata kanë qenë në vende të ndryshme gjatë asaj dite dhe pavarësisht se mes tyre ka pasur komunikime telefonike, në asnjë moment te ditës të tre telefonat nuk janë ndodhur bashkë në antenën që mbulonte zonën e Bulqizës. /btvnews.al

Artikuj te ngjashem

Me te fundit