Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë në mbledhjen e radhës të mbajtur këtë të enjte vendosi rritjen e normës bazë të interesit. Guvernatori Gent Sejko në një deklaratë për mediat, njoftoi se norma bazë e interesit është rritur me 0.25%, duke e çuar atë në 3% nga 2.75% që është aktualisht.
Sejko bëri të ditur se Këshilli Mbikëqyrës vendosi dhe rritjen edhe normën e interesit për kredinë 1-ditore dhe të depozitës 1-ditore
“Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi në mbledhjen e sotme të rrisë normën bazë të interesit me 0.25% nga niveli 2.75% në nivelin e 3%. Gjithashtu, të rrisë normën e interesit të kredisë 1-ditore nga niveli 3.75% në nivelin e 4%. Të rrisë normën e interesit të depozitës 1-ditore nga niveli 1.75% në nivelin e 2%.
Këshilli Mbikëqyrës gjykoi se presionet e larta inflacioniste që burojnë nga ambienti i brendshëm janë një faktor i rëndësishëm rreziku, së pari për respektimin e objektivit të stabilitetit dhe të çmimeve, dhe më tej për rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të vendit”, deklaroi Guvernatori.
Sejko foli dhe për inflacionin duke bërë me dije se ky tregues ekonomik ishte në rënie siç konfirmohet dhe nga të dhënat e INSTAT./btvnews.al