Sali Berisha ka dalë sot para mediave së bashku me kryetaren e grupit të komisionit auditues Ledina Mandia mbi akuzat për financimin e PD nga para ruse, më konkretisht për lobimin në SHBA.
Berisha tha se auditë të pavarur kanë paraqitur një raport serioz.
“Me të drejtë keni pritur raportin e auditit ndaj akuzave për PD se ka pranuar financime ruse. Ky raport tani është i plotë.
Auditë të pavarur kanë paraqitur një raport serioz pasi kanë analizuar të gjithë veprimtarinë financiare, buxhetore të PD-së. Për konkluzionet zonja Ledina Mandia, kryetare e komisionit ua paraqet juve”, tha Berisha.
Mandia deklaroi se grupi i Auditimit ishte ngarkuar me një detyrë të tillë për të bërë verifikimin në lidhje me përdorimin e parave ruse për lobim, akuza që janë dëgjuar në media.
“Grupi i Auditit ka filluar punën e tij duke draftuar një rregullore, duke përcaktuar dhe rregulla sa i përket mbledhjes së dokumentacionit, pasi në PD nuk kishte asnjë dokumentacion për të lehtësuar punën.
Është vlerësuar dhe marrja e auditëve të pavarur ligjorë. Korrespodenca më pas ka vijuar me prokurorinë, Gjykatën e Tiranës dhe KQZ-në, të cilët kanë vendosur në dispozicion dosjet e plota dhe po ashtu dhe pasqyrat financiare dhe raportet përkatëse të depozituara në KQZ.
Në PD nuk ka ekzistuar një rregullore e Brendshme dhe nuk ka ekzistuar një bord financiar, referuar detyrimeve statutore”, tha Mandia