E martë, 26 Nëntor, 2024

Alibeaj me vetëm 11 emra në zgjedhje. Tërhiqen kandidatët në Korçë e Lezhë

Fajin për dështimin e gjetjes së 61 kandidatëve për zgjedhjet lokale, kryetari i komanduar i cili do të përfaqësojë Partinë Demokratike në betejën elektorale të 14 Majit ia hodhi dyshes Rama-Berisha.

Kryeministrin e akuzoi se mbajti peng vulën e partisë duke e zvarritur në procese gjyqësore, ndërsa Sali Berishën e bëri përgjegjës për refuzimin e bashkimit të demokratëve.

“Manovrat e Ramës për stërzgjatjen e procesit gjyqësor dhe duke vazhduar më pas me gjuhën banale të Sali Berishës ndaj pjesës së PD-së që mendon ndryshe nga ai.”

Pavarësisht se në mbledhjet e struktuarave u ra dakord që të garohej me kandidatë në 20 bashki, disa prej tyre duket të jenë tërhequr, duke bërë që për herë të parë, Partia Demokratike të dalë e përfaqësuar me një numër kaq të vogël.

“Janë rreth 20 të depozituar. Ne kemi respektuar të gjithë procedurën tonë. Të gjitha procedurat vazhdojnë në KQZ dhe KZAZ.”

Por teksa Alibeaj fliste për fitore në zgjedhjet e 14 Majit, Gjergji Gjata, i përzgjedhuri si kandidat për bashkinë e Korçës ka njoftuar tërheqjen nga gara për zgjedhjet e 14 Majit së bashku me 40 kandidatët për anëtarë të Këshillit.

Gjergji Gjata: Tërhiqemi nga gara elektorale, në mënyrë të parevokueshme për Zgjedhjet Vendore 2023, për mungesë të procedurave vendimmarrëse në organet drejtuese të PDSh lidhur me kandidimet, si dhe për shkelje të integritetit dhe dinjitetit të të gjithë kandidatëve, cënuar nga vendime personale dhe jo kolegjiale. Urojmë më të mirën për Korçën dhe suksese për kandidatët më të mirë në të gjithë vendin.

Të vetmet bashki në të cilat Alibeaj nuk ka nxjerrë kandidatë janë ato të Elbasanit, Durrësit Shkodrës e Lushnjes ku demokratët e bazës kanë vendosur të mbështesin kandidatët e primareve të Berishës.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit