Dikur ishte hambari i Matit, por sot është një fshat thusje i gjithi djerr. Flasim këtu për fshatin Fullqet në Bashkinë e Klosit. Banorët e mbetur aty janë thuajse të gjithë të moshës së tretë pasi të rinjtë janë larguar.
Por cilat kanë qenë shkaqet që e braktisën këtë fshat banorët e tij? 73 vjeçari Sami Kajaçi thotë se arsyeja kryesore ka qenë mungesa e ujit vaditës prej shumë vitesh, gjë e cila ka detyruar banorët t’i lënë tokat djerr e të largohen nga fshati.
Samiu tregon se dikur ky fshat quhej “Stambolli i vogël” për shkak të prodhimit të madh që dilte nga sektori i bujqësisë. Në këto 30 vite, sipas Sami Kajaçit investimet në sistemin vaditës kanë qenë të paefektshme, ndaj dhe gjendja ka shkuar këtu ku jemi sot, që thuajse asnjë pëllëmbë tokë nuk punohet.
Nga ana tjetër, Samiu tregon se një tjetër problematikë me të cilën përballet fshati janë edhe kostot e larta të punimeve, farave dhe plehrave kimike.Sami Kajaçi shprehet se në këtë fshat ka mbetur vetëm mosha e tretë e cila përbën më pak se 30% të popullsisë së dikurshme./btvnews.al