Në pranga e policisë ka perfunduar një 28 vjeçar. Një i ri i quajtur Liridon Peka, ka përfituar 100 mijë euro nga llogaritë e vjedhura të shqiptarëve të Kosovës në “Facebook”.
Të dhënat janë bërë me dije nga vetë Policia e Shtetit, pas denoncimeve që kanë mbërritur në sektorin e posaçëm që merren me hetimet e krimeve kibernetike.
I riu, i cili ka qenë me masë sigurie arrest në shtëpi po për mashtrim, ia merrte paratë familjarëve dhe të afërmve të personave që u kishte vjedhur llogaritë e rrjeteve sociale, duke i dërguar mesazhe se kishte nevojë për shuma të ndryshme.
Njoftimi i Policisë!
“Pas disa muajsh hetime, në operacionin policor të koduar ‘Account’ për goditjen e mashtrimit kompjuterik, policia sekuestroi 7 karta bankare, 2 laptopë, pajisje të tjera kompjuterike dhe 62 mandate të lëshuara pas tërheqjes së shumave monetare. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”, kryer në bashkëpunim.
Sipas Policisë ka qenë njësia “C” për Hetimin e Krimeve Kompjuterike në Departamentin e Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, pas kallëzimeve të marra nga disa shtetas kosovarë, për vjedhjen e llogarive të tyre në rrjetet sociale dhe përdorimin për të kërkuar para nga familjarët e tyre, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Account”, për dokumentimin e kësaj veprimtarive kriminale, identifikimin e autorit dhe vënien e tij përpara përgjegjësi ligjore.
Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka vjedhur llogaritë e shtetasve të ndryshëm kosovarë, në rrjetin social “Facebook”, dhe më pas ka komunikuar me familjarët dhe të afërmit e këtyre shtetasve, për t’iu kërkuar shuma të ndryshme parash, me pretendimin se ishte në spital ose për arsye të tjera. Pasi kanë marrë mesazhet në rrjetet sociale, familjarët dhe të afërmit kanë dërguar shumat e parave me anë të rrjetit të transfertave monetare.
Shuma e përfituar nga kjo veprimtari kriminale është mbi 100 000 euro.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 7 karta bankare, 2 laptopë, pajisje të tjera kompjuterike dhe 62 mandate të lëshuara nga filialet e rrjetit të transfertave monetare, pas tërheqjes së shumave monetare nga ky shtetas. /btvnews.al