Veriu i Kosovës nuk po gjen qetësi. Në orët e para të së dielës, një mjet shpërthyes është hedhur në drejtim të efektivëve të policisë në Mitrovicë të Veriut.
Policia e Kosovës në një njoftim për mediat sqaron se sulmi është kryer rreth orës 02:20 të natës “nga persona deri tani të panjohur”.
Po ashtu bëhet me dije se mjeti shpërthyes i hedhur në rrugën “Ivo LlolaRibar”, tek qendra e Kontrollimit Teknik të Automjeteve, dyshohet të jetë shok bombë.
Nga ana tjetër, Prokurori i shtetit ka urdhëruar nisjen e hetimeve për këtë rast si “sulm ndaj personit zyrtar”. Në komunikatën e Policisë nuk bëhet e ditur për gjendjen dhe numrin e policëve të sulmuar.
Ky incident vjen pas disa rasteve të raportuara për djegie të veturave me targa RKS në veri të Kosovës, zonë e banuar me shumicë serbe./btvnews.al