E mërkurë, 27 Nëntor, 2024

“Lufta” në mediat sociale, Sali Berisha dhe Edi Rama nisin serinë e podcast-eve. Ish-kryeministri e fton në debat

Pas njoftimit nga Edi Rama për hapjen e një podcast-i, edhe Sali Berisha ka bërë publike këtë nismë të re të tij. Në një postim në mediat sociale, Berisha bën me dije se regjistrimet i ka nisur që në Dhjetor, por tani vendosi t’i bëjë publike.

Berisha i bën edhe një ftesë publike Ramës, të cilin e fton në debat si në podcast.

“Të dashur miq të komunitetit të madh të rrjeteve sociale Facebook, Instagram dhe Tik Tok. Që prej dhjetorit, kam në ‘sirtarin’ tim dixhital të komunikimit me ju, edhe podcast-in tim të përjavshëm. Ngjarjet e kanë shtyrë këtë takim të ri me ju në një format tjetër, por duke filluar nga sot do të shihemi edhe në këtë dritare të re. Mora vesh se edhe Edi Rama do ketë podcast. Si gjithmonë disa hapa pas meje, por ju e dini se unë kam një pasion të veçantë për teknologjinë dhe risitë e saj.
Kam menduar që komunikimi me ju në podcast të përqendrohet kryesisht në çështje jo politike, në Sali Berishen qe ju nuk e keni njohur dhe këtë e provon edhe ky episod i parë, i regjistruar në dhjetorin e kaluar. Meqë Rama paska thënë se është gati që të debatojë edhe me kundërshtarin politik, një ftesë që unë ja kam bërë prej kohësh në studiot televizive, ia përsëris tani publikisht, që ta bëjmë debatin të cilit ai i shmanget. Ku të dojë ai, në podcast-in tim apo të tijin. Mendoj se politikanët duhet të ballafaqojnë pikëpamjet e tyre. Uroj të gjejë kurajo dhe të pranojë ftesën time“, është ky postimi i liderit të opozitës.
Më herët dhe Rama ka njoftuar se do të nisë serinë e tij të podcast-eve dhe fton të gjithë të debatojnë me të, edhe kundërshtarët politik.
“Është një eksperiencë e re për mua dhe ju. “Flasim” është podkasti im menduar për të folur lirshëm në praninë tuaj me njerëz të njohur a të panjohur. Personazhe të skenës publike, politikës, artit, kulturës, medias, shqiptarë, të huaj, miqësorë apo jo ndaj meje, por edhe protagonistë të jetës shqiptare, aty ku nuk hyjnë sytë e vëmendjes publike. Madje edhe kundërshtarë pse jo nëse e pranojnë ndonjëherë ftesën. Kjo është dëshira”, dekalroi Rama./btvnews.al

Artikuj te ngjashem

Me te fundit