Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit në mbledhjen e fundit ka marrë një vendim drastik, pasi ka përjashtuar nga Kategoria e Parë skuadrën e Tërbunit.
Në vendimin e Komisionit të Disiplinës sqarohet se Tërbuni ka dështuar në përmbushje tëpërgjegjësive për zhvillimin e ndeshjeve në fushën e saj.
Për këtë shkak është dënuar me gjobë, por dhe është përjashtuar nga Kategoria e Parë duke zbritur një kategori më poshtë.
“FK Tërbuni, për dështim në përmbushjen e përgjegjësive në mënyrë të përsëritur, duke shkaktuar akte dhune dhe duke mos garantuar sigurinë e zyrtarëve të ndeshjes në bazë të Neneve 30/1, 30/4/a, 31, 39/1, 65/1 dhe 65/3/c të KDS, humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0 kundër KF Turbina dhe dënohet me gjobë në masën 300.000 (treqind mijë) lekë. Sipas nenit 116/1/a të KDS, gjoba të aplikohet në masën 50%.
Në zbatim të Neneve 27, 28, 63, 64/2, 65/4/d dhe 114/2 të KDS, FK Tërbuni përjashtohet nga aktiviteti futbollistik për sezonin 2022-2023 dhe zbritet në një kategori më të ulët“, është ky vendimi i këtij institucioni./btvnews.al