Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u shpreh gjatë konferencës së përjavshme me gazetarët u shpreh se fushata elektorale për zgjedhjet e 14 Majit ka pasur një fillim të jashtëzakonshëm. Sipas tij, statistikat flasin për jë rikthim të paprecedent të Sali Berishës dhe PD dhe ky fakt ka tmerruar Edi Ramën.
“Së pari, shfrytëzoj këtë takim me ju për t’u përcjellë përshëndetjet më të përzemërta demokratëve për startin e jashtëzakonshëm të fushatës elektorale, fushatës së fitores. Siç e shihni ju, sallat, sheshet ushtojnë nga entuziazmi i fitores së opozitës shqiptare në këto aktivitete paraelektorale. Një përpjekje e turpshme, primitive për të goditur, për të parandaluar rivendosjen e pluralizmit politik në Shqipëri, po merr përgjigjen më të fuqishme nga të rinjtë, të rejat, burrat, gratë dhe qytetarët shqiptarë në mbarë vendin. Këto flasin për një rikthim të paprecedent të Sali Berishës dhe PD-së. Ky fenomen ka tmerruar Edi Ramën”.
Kreu i demokratëve tha se Rama e ndjen që është i pashpresë.
“Edi Rama e ndjen se urrejtja popullore ndaj pushtetit të tij monist, ka kufi vetëm qiellin. Edi Rama e ndjen se me shpopullimin e kalkuluar, pra gjenocidin që kryen ndaj shqiptarëve, konsiderohet një nga armiqtë më të rrezikshëm në histori të këtij kombi. Edi Rama e ndjen se me vjedhjet e mëdha që u ka bërë shqiptarëve, është i pashpresë. Shqiptarët presin me padurim 14 majin, presin për të votuar si qytetarë të parë, kandidatët e primareve, njëherazi për të rivendosur pluralizmin politik në Shqipëri dhe për të firmosur ndryshimin e madh, i cili ka si synimin më kryesor mëkëmbjen ekonomike të shqiptarëve. Mëkëmbjen e biznesit në Shqipëri, mëkëmbjen e fermerëve shqiptarë, shpresën tek mbarë shqiptarët se ky vend bëhet, mbështetjen e të rinjve shqiptarë në hapat e tyre të para. Ajo që shihni ju në ekrane televizive, me gjithë përpjekjet e tmerrshme për të na censuruar, megjithatë nuk është një përpjekje kaq e suksesshme, mund të themi se kjo është pranvera e madhe e shpresës së shqiptarëve. Pushteti po dridhet, është në përpëlitjet e tij. Pra, shpresa vjen me opozitën. Ndryshimi vjen me opozitën”, tha Berisha. /btvnews.al