Një qytetar serb është arrestuar në pikën kufitare të Jarinjës, pasi ka sulmuar një zyrtar të Policisë së Kosovës dhe i ka shkaktuar lëndime trupore.
Policia e Kosovës, përmes një komunikate për media, njofton se incidenti ka ndodhur në pikën e kalimit kufitar në Jarinjë, të premten, rreth orës 16:30.
I dyshuari me inicialet N.T., është shtetas i Serbisë dhe ka tentuar të hyj në Kosovë “pa dokumentacionin e nevojshëm”.
Atij i është refuzuar hyrja nga autoritetet policore dhe më pas “ai ka filluar të fyej zyrtarët policorë që ishin në detyrë zyrtare në pikën e kalimit kufitar” në Jarinjë.
“Të dyshuarit i është kërkuar nënshkrimi i dokumentit/vendimit për refuzim të hyrjes në vendin tonë. Ai nuk ka pranuar të nënshkruaj atë vendim dhe ka sulmuar njërin nga zyrtarët policor, të cilit i ka shkaktuar lëndime trupore. Polici i lënduar është dërguar për tretman mjekësor”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës./btvnews.al