Trafikantët shqiptarë kanë ulur çmimet për emigrantët që duan të kalojnë kanalin për të shkuar në Britaninë e Madhe.
Mediat angleze “The Telegraph” në një shkrim të publikuar së fundmi thotë se “çmimin e kanë ulur në 3 mijë paund”. Por pavarësisht uljes së çmimit, trafikantët vazhdojnë të përdorin platformat e mediave sociale, sic është Tik Tok për të bërë reklamime.
“Bandat e kontrabandës së njerëzve po përdorin emrin me hashtag të Luiz Ejllit, një prej personazheve të Big Brother VIP në Shqipëri, në përpjekje për të çuar trafikun në faqet e tyre në TikTok”, raporton “The Telegraph”.
Rreth 500 shqiptarë që kanë hyrë ilegalisht në Britaninë e Madhe janë kthyer që nga fundi i vitit të kaluar.
Moti i përmirësuar këtë javë bëri që 437 migrantë të kalojnë Kanalin me varka të vogla të mërkurën, numri më i lartë në një ditë të vetme deri më tani këtë vit./btvnews.al