E premte, 29 Nëntor, 2024

Presidenca mesazh institucioneve dhe zgjedhësve: shit-blerja e votë, financimet e paligjshme të partive politike dhe manipulimi zgjedhor janë të patolerueshme

Presidenti i Republikës Bajram Begaj, në takimin me përfaqësues të institucioneve dhe strukturave të angazhuara me zgjedhjet e 14 majit, ka kërkuar nga këta të fundit një proces zgjedhor të drejtë dhe të paanshëm, i bazuar në kushtetutë e ligj.

Gjatë fjalës së mbajtur në Presidencë, Begaj theksoi se shit-blerja e votë, financimet e paligjshme dhe jo transparente të partive politike dhe manipulimi zgjedhor janë të patolerueshme.

Duke vënë në dukje rëndësinë e masmedias për procesin, Begaj u bëri apel subjekteve politike që të mos denigrojnë njëri-tjetrin, por gara në aspektin e komunikimit të rrezatojë qytetari, mirësjellje dhe respekt.

“Në këto zgjedhje duhet të mundësojmë sigurimin e standardeve zgjedhore, si garanci për përfaqësimin e vullnetit të qytetarëve. Një proces zgjedhor i drejtë e i paanshëm, i bazuar në kushtetutë e ligj është detyrim thelbësor ndaj vendit.

Mirëadministrimi i zgjedhjeve nga ju, duhet të përmbushi standardet e pacenueshme demokratike. Eksperiencat e mëparshme na kanë përballur jo rrallëherë me fenomene negative dhe institucionet jo gjithmonë kanë reaguar me sukses ndaj tyre.

Mirëpo tashmë që kuadri ligjor i zgjedhjeve është më i plotë dhe instrumentet mbrojtëse më të avancuara, shit-blerja e votës dhe keqpërdorimi i burimeve shtetërore janë të patolerueshme. Financimet e paligjshme dhe jo transparente të partive politike, manipulimi zgjedhor janë të patolerueshme.

Subjektet të mos denigrojnë njëri-tjetrin. Etika e garës dhe e komunikimit të rrezatojë qytetari, mirësjellje dhe respekt. Media është aktor i rëndësishëm për garantimin e një proces sa më të lire.

Zgjedhjet, rol vendimtar për forcimin e besimit në institucionet e vendit dhe anëtarësimin në BE. Tek unë do të gjeni dëgjuesin e vëmendshëm, tek Institucioni i Presidentit mbështetje të palëkundur. Në asnjë rrethanë nuk duhet të shtrembërohet dhe tjetërsohet vullneti dhe vota e lire”- tha Begaj.

Më tej, në një mesazh drejtuar shqiptarëve, Begaj u bën thirrje qytetarëve të ushtrojnë vullnetin e tyre të të lirë. Çdo intimidim apo shantazh, thotë Presidenti, duhet të denoncohet e dënohet.

Zgjedhjet nuk janë të partive politike, por  janë për qytetarët shqiptarë, janë për Shqipërinë, përmbyll kështu mesazhin e tij Presidenti.

Të dashur bashkëqytetar, zgjedhjet vendore ju japin mundësinë për të përmirësuar jetesën e përditëshme. Duke filluar nga rruga ku kaloni, lagja ku rriten fëmijët tuaj, si dhe qytetti apo fshati ku bvanoni. Ndaj ju lutem në këto zgjedhje, që kanë një efekt të menjëhershëm në përditshmërinë tuaj, ushtroni vullnetin tuaj të mirëinformuar dhe krejt të lirë. Çdo intimidim apo shantazh duhet të denoncohet dhe dënohet. Ju ftoj të ushtroni të drejtën e pushtetit të votës tuaj me forcën që i takon.

Zgjedhjet nuk janë të partive politike, ato janë për qytetarët shqiptarë, janë të Shqipërisë”- thotë Begaj. /btvnews.al

Artikuj te ngjashem

Me te fundit