Teksa prej ditësh kryefjalë e maxhorancës është vendimi i qeverisë për rritjen e pagave, kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish në lidhje me këtë çështje.
Kreu i qeverisë përmes një postimi në rrjetin social ‘Facebook’ shkruan se paga 900 euro në 2024 është fryt i punës së bërë gjatë këtyre viteve dhe reformës më të rëndësishme që është marrë në këtë drejtim.
Sipas tij ajo që ka më rëndësi në këtë nismë të qeverisë, për rritjen e pagave është në kuadër të punës së përbashkët të bërë nga çdo qytetar që në shtet a në privat, kontribuon për ekonominë shqiptare.
“????????PAGAT E REJA, falë të cilave paga mesatare në Shqipëri thuajse dyfishohet duke arritur majën historike të 900Eurove në 2024, janë fryt i një përpjekjeje të gjatë, këmbënguljeje e durimi të madh për reforma të vështira e masa të domosdoshme për ekonominë dhe për financat tona, rritjeje të të ardhurave falë rritjes së ekonomisë, tregtisë, investimeve publike e private, rritjes së prodhimit e të eksporteve, modernizimit të sistemit të mbledhjes së taksave përmes kompjuterizimit të transaksioneve në kohë reale, lehtësimit e rritjes së shpejtësisë së shërbimeve për biznesin falë digjitalizimit të tyre, forcimit të shtetit në tërësi dhe uljes së ndjeshme të korrupsionit në tatime e dogana, po mbi të gjitha, PAGAT E REJA janë fryt i punës sonë të përbashkët, të çdo shqiptari e shqiptareje, që në shtet a në privat, kontribuon për ekonominë shqiptare me punën e vet❤️”, shkruan Rama. /btvnews.al